“Hotel Bejruti” – doracak për diplomacinë në botën arabe

0
163

Njerëzit në botë ndahen në njerëz të pushtetshëm dhe të papushtetshëm. Sigurisht kjo është një ndarje e vjetër sa bota, por jo e përhershme, pasi ndodh rëndom që njerëz të lëvizin nga të dyja kahet, sidomos këtu ndër ne dhe në Ballkan ku mekanizmat e pushtetit shpeshherë nuk punojnë sipas ligjeve të njohura të mekanikës në rastin tonë meritokracisë, por sipas meteorologjisë politike.

Në mes kësaj shqote e tufani politik qëndrojnë gazetarët, njerëzit që përfaqësojnë pushtetin e katërt e që janë ata që vendosin me qëndrimet e tyre publike të hapura se nga duhet të anojë peshorja e tre pushteteve të tjera.

Në këtë kuptim të jesh gazetar nuk është vetëm një punë kokëçarëse, lodhëse dhe shpeshherë e shpërblyer pak, por edhe një privilegj i veçantë, pasi në pak fjalë e rreshta ke mundësinë të përshkruash ngjarjet më të pazakonta që has, t?i japësh reston pushtetit kur është arrogant, të evidentosh ngjarjet e shënuara që përbëjnë lajm jo vetëm për ty, por për të gjithë komunitetin. Aq më tepër kjo ndjesi është më e madhe, kur si gazetar ke mundësinë që të jesh i pranishëm në vende ku gjenerohen vazhdimisht konflikte dhe të jesh dëshmitar i atyre ngjarjeve që shënjojnë ndonjëherë dhe shekullin.

Në historinë e shtypit të shkruar shqiptar këndej e përtej kufijve, janë të rrallë gazetarët që kanë pasur mundësinë dhe përvojat ndërkombëtare për të qenë të pranishëm në këto situata, por kur kjo gjë ka ndodhur, siç është rasti i sotëm ku kemi ndër duar përmbledhjen e reportazheve ?Hotel Bejruti? të gazetarit të mirënjohur nga Kosova, Nehat Islami, janë ngjarje të veçanta që kanë sjellë jo vetëm arritje të gazetarisë shqiptare, por edhe një ndjesi krenarie profesionale për cilësinë e reportazheve të përcjellë. Ne shqiptarët që vijmë nga territoret e quajtura si ?fuçi baroti? mund të kuptojmë më mirë ?tenxheren me presion? të Lindjes së Mesme, ku si mund të shikohet nga emërtimet që ju janë vënë këtyre vendeve nga ata që kanë pasur monopol dhe shpikjet teknike, përcaktimet gjuhësore e nofkat diplomatike nuk ka mënuar të ketë dhe një perifrazim të ndarë në dy botë të kundërta, në kulturë e lartë e kulturë e ulët referuar vetes dhe këtyre rajoneve. Në këto reportazhe që kemi në duar, në të kundërt nuk shohim dallime të tilla dhe për më tepër me rrëfimet e drejtpërdrejta të tyre janë dëshmi të humanizmit dhe të dehumanizimit në kohë lufte dhe konflikti dhe i njohjes së kulturës shpirtërore e politike të Tjetrit pa paragjykime.

Libani dhe Bejruti i viteve ?70 i konsideruar si ?Zvicra? e Lindjes së Mesme, për zhvillimin ekonomik dhe tolerancën ndërfetare dhe etnike që ekzistonte aty, do të kthehej në një ferr dantesk brenda një viti e ku lufta civile do të vazhdonte për 15 vjet me radhë. Shumë kohë më parë, një tjetër shqiptar, politikan, mendimtar e shkrimtar, Pashko Vasa, kishte qeverisur këtë vend duke respektuar të gjitha identitetet e tij kulturore dhe fetare duke lënë mbrapa një trashëgimi mirënjohjeje nga Libani dhe popullsia e tij. Një shekull më vonë, gazetari Nehat Islami duke bërë të njëjtën gjë përmes reportazheve profesionale, përcjell një pasqyrë të vërtetë njerëzore të konfliktit. Të dish të zgjedhësh në ato kohë të vështira konflikti e lufte si ka zgjedhur gazetari Nehat Islami për t?i qëndruar pranë njerëzores dhe më të dobtëve do të thotë të jesh as më shumë as më pak Njeri me Nj të madhe, një fjalë që në situata të tilla konflikti zhvlerësohet.

Një pjesë e rëndësishme e librit janë reportazhet e gjata për Pashko Vasën dhe Mehmet Ali Pashën që japin një informacion të rëndësishëm historik dhe gazetaresk rreth pranisë së shqiptare në Lindjen e Mesme, një prani që është lënë pothuajse në harresë në ditët e sotme dhe që ky libër e shpluhuros dhe e risjell në vëmendje të lexuesve. Kjo dëshmi mund të shërbejë si një vlerë e shtuar për rritjen e influencës dhe përkrahjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto rajone që mund të jenë larg, por kanë një peshë të rëndësishme në gjeopolitikën botërore.

Fatet dhe përvojat e popujve, për fat të keq mund të jenë ndonjëherë të ngjashëm. Jo shumë kohë më vonë pothuajse njëzet vjet pas ngjarjeve në Liban, barutit të lagur të Ballkanit, megalomania dhe shovinizmi serb do t?i vinte flakën dhe këto territore do të mbuloheshin me tym e flakë njëlloj si Bejruti fatkeq i viteve 70?-80?. Çnjerëzorja dhe konflikti i egër do përvijoheshin këtyre anëve tona dhe sigurisht edhe ne do të kishim nevojë për gazetarë të ndershëm dhe me kurajë që të raportonin shkeljen e së drejtës dhe mjerimin e nacionalizmit primitiv serb.

Për fat të mirë pati plot të tillë dhe shtypi perëndimor mësoi shumë shpejt të vërtetat për shtypjen e popujve që flinin nën pudrën moderniste të ish-Jugosllavisë titiste. Ne këtyre anëve ende kemi nevojë të dimë se ndodh në Lindjen e Mesme, pasi shpeshherë radhitemi si komformistë pa njohur mirë realitetet.

Ky libër tregon shumë të vërteta dhe nëse është e vërtetë shprehja se njohja fillon dhe nga librat, atëherë publiku shqiptar ka një shans më tepër për të njohur të vërtetat dhe krizat e Lindjes së Mesme.

 

Shkrim i vitit 2014