Hipoteza e këtij shkencëtari për atomin mundësoi përparimin e madh në kimi

0
394

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 32 me rradhë ka Xhon Dalton.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXII- Xhon Dalton

(1766-1844)

Shkencëtari anglez, Xhon Dalton, me hipotezën që hodhi për atomin në fillim të shekullit XIX, dha idenë themelore, që mundësoi përparimin e madh në kimi. Sido që të jetë, ai nuk ka qenë i pari që ka dhënë mendimin se gjithë mjetet materiale janë krijuar nga grimcëza jashtëzakonisht të vogla të pandashme, të quajtura atome. Ky mendim është shfaqur qysh nga filozofi i lashtësisë greke, Demokriti (460-370 p.e.r.), por mundet edhe më përpara. Këtë hipotezë e ka vërtetuar edhe Epikuri (filozof tjetër i lashtësisë greke), por në mënyrë të shkëlqyer e ka shfaqur poeti latin, Lukreci, në poemën e tij shumë të njohur “Për natyrën e sendeve”.

Teoria e Demokritit (e papranuar nga Aristoteli) mbeti e harruar gjatë shekujve të mesjetës. Ajo nuk pati ndikim në shkencën bashkëkohore. Disa shkencëtarë të mëdhenj të shekullit XVIII, midis të cilëve edhe Njutoni, kanë mbështetur hipoteza të ngjashme. Por, asnjëra nga teoritë e para për atomin nuk pati mbështetje të qartë dhe nuk u zbatua në studimet shkencore. Dhe ç’është më e rëndësishmja, asnjeri nuk e kishte vënë re lidhjen midis pikëpamjeve filozofike dhe fakteve të pamposhtura të kimisë. Daltoni ekspozoi një teori të qartë që mund të zbatohej për sqarimin e eksperimenteve kimike dhe vërtetimin në mënyrë laboratorike.

Edhe pse terminologjia e Daltonit ndryshon deri diku nga terminologjia e sotme,  ai i shprehu qartë nocionet: atom, molekulë, elementë dhe bashkime kimike. Gjithashtu, tregoi qartë se përballë numrit shumë të madh të atomeve në botë në përgjithësi, numri i trajtave të ndryshme të atomit është mjaft i vogël: ai grumbulloi 20 elementë, respektivisht forma atomesh, ndërsa sot njihen pak mbi 100. Edhe pse forma të veçanta atomesh dallohen nga pesha, Daltoni pohonte se dy atome të së njëjtës formë kanë të njëjtën veçori, duke llogaritur këtu edhe masën. Eksperimentet bashkëkohore kanë provuar se nga ky parim ka përjashtime. Çdo element kimik në vetvete ka dy ose më shumë forma atomesh – të njohura si izotope, që dallohen lehtë nga masa, ndërsa vetitë kimike janë pothuajse të njëjta. Daltoni na la tabelën ku janë shënuar masa e formave të ndryshme të atomeve -tabela e parë e kësaj forme, karakteristikë themelore e çdo teorie kuantike atomike. Krahas kësaj, Daltoni tregoi me bindje të plotë se çdo dy molekula në një bashkim të njëjtë kimik janë formuar nga kombinimi i njëjtë i atomeve. Për shembull, çdo molekulë e oksidit të azotit përbëhet nga dy atome azot dhe një atom oksigjen. Nga kjo del, se çdo bashkim kimik, pavarësisht se ku është fituar dhe se ku ndodhet, gjithmonë përmban të njëjtat elemente me të njëjtat përpjesëtimeve të qëndrueshme, i zbuluar eksperimentalisht disa vite më parë nga kimisti francez, Xhosef Lui Prust.

Daltoni e shprehu me kaq vërtetësi teorinë e tij, sa që njëzet vitet e fundit ajo u pranua nga shumica e shkencëtarëve. Veç, kësaj, kimistët janë mbështetur në programin e Daltonit që e botoi në libër, i cili ndërmjet të tjerash thotë: ”Përcaktimi i saktë i peshës specifike,analiza e lidhjeve kimike sipas peshës dhe saktësimi i kombinimeve të atomit,sido që të jetë,formojnë molekulën”. Programi pati sukses të madh.

Rëndësia e hipotezës për atomin është e paçmueshme, është çelësi për kuptimin e kimisë dhe i pazëvendësueshëm për fizikën bashkëkohore. Daltoni është lindur në vitin 1766 në Iglafild të Anglisë veriore. Arsimin e kreu formalisht qysh 11 vjeç, por me kulturën shkencore u kompletua pothuajse në mënyrë autodidakte. Ai ishte i zellshëm për punën. Kur mbushi 12 vjeç u bë mësues dhe si i tillë vazhdoi deri në fund të jetës, si mësues privat. Kur ishte 15 vjeç u transferua në Kendall dhe pas dhjetë vjetësh, në Mançester, ku jetoi deri në fund të jetës, në vitin 1844. Në vitin 1787, kur ishte 21 vjeç, ai filloi të interesohej për meteorologjinë. Gjashtë vjet më vonë botoi një libër për këtë temë. Studimi mbi ajrin e atmosferës i zgjoi interesat për t’u marrë me cilësitë dhe veçoritë e gazeve në përgjithësi. Pas një vargu eksperimentesh, formuloi dy ligje të rëndësishme për to. I pari, i paraqitur në vitin 1801, thotë: ”Vëllimi i gazit është në përpjesëtim të drejtë me temperaturën”- i njohur si ligji i Sharlit, sipas emrit të shkencëtarit, që e zbuloi disa vite para Daltonit, por që nuk e publikoi. I dyti, i zbuluar po në vitin 1801, është i njohur si Ligji i Daltonit dhe bën fjalë për trysnitë parciale. Në vitin 1804, Daltoni formuloi teorinë për atomin dhe përgatiti artikullin për peshat atomike.Vepra e tij themelore,”Sistemi i ri në filozofinë kimike” u botua në vitin 1808. Kjo vepër e bëri atë një personalitet shumë të njohur. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të jetës, ai u respektua me lavdërime dhe dekorime. Midis të tjerave, Daltoni vuante nga pamundësia për të dalluar disa ngjyra. Dhe ç’është më e rëndësishmja, kjo e nxiti për ta studiuar këtë problem. Pas kësaj, botoi punimin shkencor për paaftësinë e syrit të njeriut për të dalluar ngjyrat, që sot njihet me emrin Daltonizëm.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Aleksandri i Madh.