Hetem kasapi i hamzallarëve në Preshevë

0
54

Nga Ferid Selimi

Hetem (Jashar) Duraku lindi në vitin 1903 dhe ishte një nga tre djemtë e Jasharit të hamzallarëve të Preshevës. Fillimisht Hetem kasapi merret me blegtori dhe mbante prej 50 deri në 80 kokë dele. Zanatin e merr prej babait të tij dhe gjyshit që tradicionalisht merreshin me këtë zanat. Prej vitit 1925 deri në vitin 1942 shet mish para xhamisë dhe për ditë bajrami, e që në atë kohë, rrallë dikush që blinte mish me kilogram, por thuaja të gjitha blinin me gram. Pas luftës një kohë nga viti 1947 i shet dele e viça Kooperativës Bujqësore në Preshevë. Profesionin e kasapit e kryen deri në vitin 1980, kur edhe ia lë djemve të tij. Vdes në vitin 1986, duke lënë prapa tre djem: Muharremin (tashmë të ndjerë) Hevziun dhe Ganiun si dhe dy vajza: Barijen dhe Hamiden që me familje jetojnë në Preshevë, Kosovë,, Turqi, etj.

Durak (Ramiz) Duraku (1924 – 1993) – kasap

Durak (Ramiz) Duraku lindi në vitin 1924 në Preshevë dhe ishte njëri nga tre fëmijët e Ramizit të hamzallarëve të Preshevës (pos Durakut ,Ramizi kishte edhe Nexhmijen dhe Ramizin). Si pesëvjeçar mbetet pa babë dhe rritet jetim. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, Hetem kasapi më të vëllain, Mustafën e aftësojnë dhe ia mësojnë zanatin e kasapit, e më pas deri në vitin 1947, Durak kasapi punon për agën Hetem. Në vitin 1947, në kohën kur Istref (Vasfi) Aliu i efendilerëve ishte drejtor i Kooperativës Bujqësore në Preshevë, Duraku punësohet shitës i mishit. Në vitin 1952 e lë punën në Kooperativë dhe ia nis punës në qebaptore te kafja e Tozës deri në vitin 1959 kur edhe kalon për të punuar në monopol. Vdes në vitin 1993 duke lënë pas dy djemtë: Selajdinin dhe Xhemalin (të dy tashmë të ndjerë) dhe vajzat: Makfiren, Muhaberen, Leberen, Qefseren, Syzanen dhe Nazykteren. Pasardhësit e tij jetojnë në Preshevë, Kosovë, Maqedoni e vende të tjera.

Muharrem Kasapi (1930 – 2013) – kasap – shitës

Muharrem (Hetem) Duraku apo aga Lemi lindi në vitin 1930 dhe ishte djali më i madh i Hetem Kasapit të hamzallarëve. Meqë babai i tij Hetemi ishte kasap, edhe ky e mësoi zanatin e kasapit dhe kështu në vitin 1952, kur Durak kasapi e lëshon punën, ky punësohet në Kooperativën Bujqësore si shitës mishi, në të cilën punoi deri sa u pensionua në vitin 1993. Njihej si esnaf, njeri i mirë, i urtë, i qetë, i sinqertë e bujar. Shitës mishi punoi te mishtorja karshi Xhamisë së Ibrahim Pashës në çarshinë e Preshevës. Vdiq në vitin 2013 në Preshevë, duke lënë pas djalin Qenanin, i cili me familje jeton në Gjilan.

Në foto 1 dhe 2 Hetem Kasapi
Foto 3 Durak Kasapi
Foto 4 Muharrem Kasapi-aga Lemi