Hetaoba, fshati i pasuruar nga çaji

Nëse shkon në Hetaoba, një fshat në kontenë Meitan të provincës Guizhou të Kinës, patjetër do të ndiesh aromën e çajit të freskët. Pas gati 50 vjetësh, gjethet e vogla të gjelbra jo vetëm janë bërë kartëvizita e Hetaoba-së, por edhe një “shkop magjik” me të cilin ky fshat dhe zona përreth kanë filluar t’i thonë lamtumirë varfërisë.

Disa faktorë kanë kontribuar në rritjen e vazhdueshme të kultivimit të çajit në Hetaoba, midis të cilave përparësitë natyrore të zonës, si lartësia e madhe, ndryshimi i madh i temperaturës ditore dhe dheu i veçantë. Të gjitha këto kanë mundësuar prodhimin e çajit cilësor në Hetaoba. Kushtet e favorshme këtu bëjnë që të ketë tre të vjela çaji në vit.

Dikur fshati ishte shumë i varfër dhe banorët e tij merreshin me rritjen e kulturave tradicionale si misri, si dhe mbarështimin e bagëtive, për të siguruar jetesën e tyre. Një pjesë e madhe e atyre që tani janë fusha të mbjella me çaj, ishin toka shterpë, ndërsa fshati kishte mungesë të tokës bujqësore dhe të ujit për ujitje.

Por ndryshimi erdhi në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur kryetari i atëhershëm i fshatit, He Dianlun, mori vendimin që banorët e Hetaoba-së të merreshin me kultivimin e çajit. Në fillim, fermerët ishin kundër kësaj ideje, sepse ata ishin të shqetësuar për tregun e çajit. Por gradualisht ata i njohën përparësitë e rritjes së çajit dhe sipërfaqja e kultivimit të çajit u zgjerua nga viti në vit. Tani ka kopshte me çaj të gjelbër në të gjithë fshatin dhe siç të thonë fshatarët, për ta në këtë mënyrë toka e verdhë është kthyer në ar.

Sipërfaqja me çaj tani është rreth 700 hektarë, dhe pothuajse çdo familje në fshat rrit çaj, ka një fabrikë ose një dyqan çaji, dhe shumë prej tyre kanë markat e veta.

Në vitin 2016 industria e çajit në Hetaoba krijoi 224 milionë juanë të ardhura (32.5 milionë dollarë amerikanë), ndërsa të ardhurat mesatare të banorëve të tij arritën më shumë se 16 400 juanë.

Vitet e fundit, industria e çajit e Hetaoba-së ka pësuar një transformim të madh, nga punishtet me bazë familjare në vitet ’90 të shekullit të kaluar në zinxhirin industrial të tanishëm, duke përfshirë fabrika që prodhojnë në shkallë të gjerë dhe shpërndarjen profesionale të produkteve. Përpunimi dhe kultivimi janë përmirësuar gjithashtu me teknika moderne.

Sivjet Hetaoba e ka zgjeruar linjën e produkteve, duke përfshirë çajin e zi.

“Ne të gjithë kemi pasur përfitime të mëdha e në rritje nga çaji dhe tërë fshatarët janë tani më të pasur,” thotë kryetari i fshatit Chen Tingming.

43-vjeçari Yu Kunqiang filloi t’i ndihmonte prindërit e tij të kultivonin çaj që kur ishte fëmijë. “Sot, çdo aspekt i jetës në Hetaoba është i lidhur ngushtë me çajin”, thotë Yu, i cili zotëron 0.9 hektarë me çaj, që prodhojnë 60 000 juanë të ardhura në vit. Edhe prindërit e tij kultivojnë një ngastër me çaj.

Gjatë kohës së vjeljes, Yu dhe e shoqja gjithashtu punojnë si tregtarë çaji. Ata blejnë gjethe çaji nga fermerët dhe i shesin ato në fabrikat e përpunimit aty pranë, duke fituar deri në rreth 500 juanë në një ditë.

“Bashkëfshatarët tanë nuk duhet të punojnë larg, falë fitimeve të qëndrueshme nga çaji, që e ka ndryshuar plotësisht jetën tonë”, thotë Yu.

Ndërsa prodhimi dhe përpunimi i çajit janë mënyra tradicionale për të siguruar jetesën në Hetaoba, He Chongxiao ishte një nga banorët e parë të Hetaoba-së që e transformoi biznesin, duke hapur një bujtinë dhe restorant shtëpiak në vitin 2009.

70-vjeçari dhe katër anëtarët e tjerë të familjes së tij sigurojnë të ardhura vjetore prej 300 000 juanësh. Shumica e tyre vijnë nga bujtina, që ka 10 dhoma, restoranti dhe një dyqan çaji, por gjithashtu ata japin me qira një hektar tokë për kultivuesit e çajit.

Një biznes i tillë, i cili nga banorët quhet “turizëm çaji”, tani po bëhet nga një numër fshatarësh të tjera, pasi fama e Hetaobas përhapet si qendër e prodhimit të çajit me një mjedis të pastër është përhapur në mbarë provincën e më gjerë.

Në vitet e fundit, biznesi është rritur me shpejtësi dhe ka tërhequr edhe turistë nga jashtë provincës, sidomos të moshuar në kërkim të një vendi të freskët për të kaluar verën.

Ndërsa turizmi i çajit po bëhet më popullor, bujtinat dhe restorantet në Hetaoba po ofrojnë vende të reja pune.

“Ne të gjithë kemi përfituar shumë nga industria e çajit, e cila është themeli i fshatit tonë”, thotë He Chongxiao, duke shtuar se shumë fshatarë janë bërë të pasur e kanë ndërtuar shtëpi shumëkatëshe, dhe më shumë se 90 për qind e familjeve të Hetaoba-s kanë të paktën një makinë./CMI/Oxygen