Haxhiu takohet me Kryeprokurorin e Shtetit z. Lumezi

0
46

Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu u takua me Kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi.

Ministrja Haxhiu u njoftua lidhur me punët e Prokurorisë gjatë kohës sa vendi po përballet me Pandeminë Covid – 19 dhe veprimet e ndërmarra nga ky institucion në këto rrethana.

Në takim u diskutuan çështjet që janë prioritet i Ministres së Drejtësisë të dalura nga programi qeverisës.

Ministrja theksoi veçanërisht përgatitjet e Ministrisë në përpilimin e draftligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si mjet kyç në rrugën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionin, koncept dokumenti i të cilit pritet shumë shpejt të procedohet në Qeveri për miratim.

Ministrja Haxhiu ka theksuar edhe një herë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është faktor kyq në zhvillimin ekonomik dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Luftimi dhe konfisikimi i pasurisë së paligjshme duhet të jetë prioritet i institucioneve të drejtësisë në mënyrë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Po ashtu Ministrja Haxhiu shprehu gatishmërinë për të fuqizuar kapacitetet e institucioneve të drejtësisë sidomos të Prokurorisë Speciale.

Ministrja Haxhiu po ashtu, theksoi nevojën e riangazhimit të Institutit zviceran, përmes mundësisë së vizitës së tyre në Kosovë për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale dhe për të zbardhur gjitha rrethanat për rastin Dehari, gjë për të cilën u njoftua se në qershor të këtij viti është planifikuar që përfaqësuesit e Institutit Zviceran të vijnë në Kosovë.