Hashim Thaçi: Nuk jam intervistuar nga Gjykata Speciale

0
139

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mohuar të jetë intervistuar nga Gjykata Speciale.

“Nuk jam intervistuar as në Prishtinë as në Vjenë”, ka thënë shkurt presidenti.

Deri më tani nga Gjykata Speciale janë intervistuar, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pikërisht për shkak të ftesës nga Specialja ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.