HANDIKOS do të punësojë 10 persona me aftësi të kufizuara, pjesë e trajnimit për rrobaqepësi

HANDIKOS në bashkëpunim me The Balkan Forum në dhjetor të vitit të kaluar ka nisur zbatimin e projektit që ka për qëllim mbrojtjen e ambientit në Kosovë, përmes promovimit të përdorimit të çantave të ripërdorshme, zvogëlimit të përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimëshe dhe mbeturinave plastike, me ç’rast në qendrën tonë janë duke u trajnuar 10 persona me aftësi të kufizuara.

Pas përfundimit të trajnimit, këtyre 10 pjesëmarrëve do t`ju ofrohet mundësia e punësimit me kohë të caktuar apo mundësi vazhdimi.

Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të diskriminuar në fushën e punësimit në Kosovë, prandaj edhe gjithëpërfshirja e tyre duhet të merret parasysh nga çdo institucion publik apo privat, ashtu siç parasheh edhe Ligji për Punësim.

Ky aktivitet mjaft i dobishëm dhe i domosdoshëm po mundësohet në kuadër të projektit “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e kapitalit njerëzor për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit duke prodhuar qese/strajca të tekstilit të ri-përdorshme”, i cili mbështet nga Zyra Zvicerane në Kosovë.

Mbështetës të tjerë janë: NUKA HOME, Gjirafa, Balkan Green Foundation, Meridian Express, BYQMA dhe LDS.