Hamide Rudi, gruaja shqiptare që vozitë autobusë tash e 18 vite

0
128

E nisë rrugëtimin e saj nëpër udhët e Kopenhagës në ora 07:00 dhe e përfundon në 21:30.

Ky është orari me të cilin punon Hamide Rudi, e cila ka një profesion jo të zakonshëm për gratë shqiptare.

Hamidja punon si shofere e autobusëve urbanë në kryeqytetin e Danimarkës, punë të cilën e kryen me plot vullnet e pasion tash e 18 vite.

Falë përkushtimit dhe përvojës gati dy dekada, ajo sot ka arritur të fitojë edhe diplomën e instruktores për trajnimin e shoferëve të rinj të autobusëve, për të cilin sukses thotë se nuk do ta arrinte pa përkrahjen e bashkëshortit të saj, pasi kishte qenë ai i cili ia kishte dhënë idenë për të marrë këtë profesion.

 

Edhe përkundër paragjykimeve me të cilat do të mund të ishte përballur, Hamidja thotë se këtë profesion padyshim që do ta ushtronte edhe po të jetonte në Kosovë.

“Sa i përket paragjykimeve, nuk e kisha parë shumë problematike, por më shumë ndoshta do isha druajtur nga sjelljet e njerëzve, duke u nisur nga fakti se unë kam të bëjë me të gjitha kategoritë e njerëzve”, shprehet ajo.

Megjithatë, të gjitha këtyre, sipas saj, nuk duhet t’ju stepen vajzat e reja nëse e kanë një ëndërr të ngjashme.
“Grave dhe vajzave të reja do t’ju thoja që të mos ngurrojnë dhe nëse u pëlqen ta bëjnë këtë punë, fundja, ato vetë duhet të vendosin”.

 

Danimarka është një vend i përparuar në aspektin e barazisë gjinore, megjithatë, mediat e këtij shteti i kanë kushtuar vëmendje të madhe dhe e kanë parë si sensacion punën që bën Hamidja, andaj kjo ka bërë që për të të shkruajnë edhe media të shumta daneze./albfem