Hajdari: U emëruan bordet e përkohshme në tri ndërmarrje publike, me profesionistë të dëshmuar

0
119

Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shkarkuar bordet e drejtorëve dhe ka emëruar borde të përkohshme në tri ndërmarrje publike qendrore: Posta e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës “Infrakos” dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Më parë janë shkarkuar bordet dhe emëruar bordet e përkohshme edhe në ndërmarrjet Telekomi i Kosovës dhe Trepça ShA.

Ministria ka propozuar dhe Qeveria ka miratuar emërimin si drejtorë të përkohshëm të ekspertëve të dëshmuar, me përvojë vendore e ndërkombëtare, të cilët do të punojnë me pavarësi dhe integritet për të shpëtuar ndërmarrjet tona.

Shih të bashkëngjitur i keni vendimet e Qeverisë dhe memorandumet shpjeguese të Ministres për shkarkim-emërimet e bordeve:

  • NP Telekomi i Kosovës ShA
  • NP Trepça ShA
  • NP Hekurudhat e Kosovës – Infrakos ShA
  • NP Posta e Kosovës ShA
  • NP Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ShA

Emërimet e bordeve të përkohshme janë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet.

Republika e Kosovës ka detyrim kushtetues të miradministrojë ndërmarrjet publike. Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike (LNP), Qeveria ushtron të drejtën e aksionarit.

Qeveria ka detyrë të shkarkojë bordin e drejtorëve “menjëherë” kur ka arsye të besojë se bordi ka shkelur detyrat (LNP, neni 19.3). Dhe kur shkarkohet bordi, Qeveria ka detyrë që “sa më shpejt” të emërojë një bord të përkohshëm. Qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale për të respektuar kushtet dhe cilësimet që kërkohen për bordin me mandat të plotë, por nuk lypset të ketë konkurs për bordin e përkohshëm (LNP, neni 43).

Kushtet dhe cilësimet ligjore sigurojnë pavarësinë dhe integritetin e bordit, parandalojnë konfliktin e interesit, dhe përcaktojnë profilet dhe përvojën profesionale që kërkohet në bord. Posaçërisht kërkohen ekspertët e fushës dhe njohësit e kontabilitetit. Përjashtohen të zgjedhurit e të emëruarit politikë dhe drejtuesit e partive të 36 muajve të fundit, por jo anëtarët (LNP, neni 17).

Qeveria ka zbatuar me përpikëri ligjin duke vepruar “menjëherë” në shkarkimin e shkelësve dhe “sa më shpejt” me emërimin e bordeve të përkohshme. Me propozimin e Ministrisë, në borde të përkohshëm do të shërbejnë ekspertë të dëshmuar dhe profesionistë të përgjegjshëm që plotësojnë kriteret ligjore. Misioni i tyre është të ringjallin ndërmarrjet tona, që tani ndodhen në prag të falimentimit.

Me vendimet e mbledhjes 21, Qeveria ka emëruar këto borde të përkohshme:

NP Posta e Kosovës

  • Mentor Arifaj — inxhinier, me përvojë në sektorin bankar në Kanada; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Saimie Thaçi — ekonomiste, IT, 18 përvojë në sektorin publik; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Kujtim Shala — auditor, ekonomist, IT, 11 vjet përvojë në sektorin publik; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Blerton Abazi — menaxhment, IT, 12 vjet përvojë në fushën universitare, shoqërisë civile dhe projekteve të inovacionit; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik

NP Hekurudha e Kosovës – Infrakos

  • Enis Berisha — inxhinier i makinerisë, 20 vjet përvojë në hekurudha e transport; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Vjollca Jashari — auditore, 19 vjet përvojë në banka, financa e auditim; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Artan Dermaku — inxhinier, ligjërues universitar, 18 vjet përvojë në akademi, menaxhment dhe projekte inxhinierike; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Abdullah Lala — 30 vjet përvojë në menaxhment, juridik e burime njerëzore; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik

 

NP KRU Prishtina

  • Mentor Hyseni — auditor, kryesues, 12 vjet përvojë pune si auditor dhe ekspert financash publike; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Hajrije Morina — hidroinxhiniere, 21 vjet përvojë në menaxhimin e ujërave; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Idriz Maliqi — inxhinier hidroteknik, 20 vjet përvojë në menaxhimin e ujërave dhe projekteve; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik
  • Seat Bilibani — ekonomist, 8 vjet përvojë në administratë e ndërmarrje; asnjë pozicion drejtues partiak apo politik, me përkatësi nga komuniteti boshnjak

Ndërmarrjet publike duhet të jenë shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit. Për më tepër, këto ndërmarrje ofrojnë shërbime bazike, siç janë: rryma, uji, menaxhimi i mbeturinave, telekomunikacioni, hekurudhat, – pa të cilat nuk mund të mbijetojë një shtet modern.

Bordi i përkohshëm emërohet për të mënjanuar zbrazëtitë në administrimin e ndërmarrjes. Drejtorët në bord kanë detyrë të hartojnë dhe të zbatojnë një plan biznesi të suksesshëm. Bordi i përkohshëm shërben deri në përzgjedhjen e bordit me mandat të plotë, por jo më gjatë se 6 muaj.

Që tani Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit është i autorizuar të nisë procedurat e përzgjedhjes, duke emëruar një komision rekomandues të përbërë nga shërbyes civilë me cilësimet e caktuara në ligj. Sekretari gjithashtu cakton dhe zbaton rregullat e punës së komisionit, që përfshijnë ndalimin e konfliktit të interesit dhe metodologjinë e vlerësimit. Komisioni mandej identifikon dhe ia propozon Qeverisë kandidatët për bordin e ri. Ecuria e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të jetë e hapur dhe e paanshme, e mbështetur plotësisht në meritokraci.

Ligji për ndërmarrjet publike është miratuar më 2008, dhe është ndryshuar dy herë, më 2012 dhe 2015. Ministria ka në plan hartimin e një ligji të ri gjatë këtij viti.

(Shih:Ligji për ndërmarrjet publike)