Guterres: 130 vende pa asnjë dozë të vetme vaksine

0
60

Vetëm 10 vende kanë përdorur 75% të të gjitha vaksinave të COVID-19, njoftoi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke kritikuar ashpër procesin gjërësisht të pabarabartë dhe të padrejtë të bërë, sipas ”The Guardian”.

Ai vuri në dukje në një takim të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së se 130 vende nuk kanë marrë as edhe një dozë të vetme të vaksinës.

”Në këtë çast kritik, barazia në shpërndarjen e vaksinave është sprova morale më e madhe përballë komunitetit global”, tha kreu i OKB-së.

Covid-19 ka infektuar më shumë se 109 milionë persona dhe ka vrarë të paktën 2,4 milionë të tjerë, sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins”.

Ndërsa prodhuesit po stërmundohen për të rritur prodhimin e vaksinave, shumë vende po ankohen se janë lënë mënjanë.

‘Bota ka nevojë urgjente për një plan global vaksinimi për të bashkuar të gjithë ata që kanë fuqinë, ekspertizën shkencore dhe kapacitetet prodhuese dhe financiare të kërkuara”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres para vendeve të G20.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, që njoftoi një rënie me 16% të rasteve me COVID-19 në botë, theksoi gjithashtu se “zjarri nuk është shuar”, më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë që ka shkaktuar mbi 2,4 milionë të vdekur.

“Numri i rasteve të infektimit me COVID-19 në botë është ulur për të pestën javë radhazi dhe që prej fillimit të vitit, bilanci i përjavshëm i infektimeve pothuajse është përgjysmuar, njoftoi nga ana e tij drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus./ATSH