Gruaja që kontribuoj për arsimin shqiptar

0
106

Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e saj të lindjes në Manastir.

Në vitin 1900 i fillon studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në degën e letërsisë ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe presidente e organizatës studentore.

Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904, filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.

Në vitin 1908 së bashku me Filomena Bonati dhe Fineas Kenedi morri pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastir. Me këtë rast ajo përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar,” himn ky i cili vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite. Më 16 janar 1909, Parashqevi Qiriazi ishte njëra ndër themelueset e shoqërisë së parë të grave shqiptare “Yll`i Mëngjesit“ me seli në Korçë. Po në këtë vit, me shkronjat e alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në Manastir, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit,” tekstin “Abetare – për shkollat e para,” dhe me këtë hyri në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe si femra e pare shqiptare autore e një abetareje, e gjithashtu edhe si teksti i pare i hartuar me alfabetin e ri.

Në vitin 1912, Parashqevi Qiriazi, do të regjistrohet në studimet postdiplomike master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të Oberlinit në Ohio, Shtetet e Bashkuara. Në qershor të vitit 1913 në Universitetin e Oberlinit përfundoi me sukses studimet master ku edhe mbrojti temën me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Me këtë mori thirrjen akademike, M.A. master i edukimit. Ndërkohë, ajo në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit. Po në këtë vit shkroi dhe botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë“, e cila u ribotua në formën elektronike vetëm në vitin 2014 nga ana e “Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Protestante” me parathënie nga Dana Stucky dhe nën redaktimin e Teuta Toskës.

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, detyrohet të largohet nga Shqipëria. Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A.M. në vitin 1913.

Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate grua nga të gjitha vendet e asaj Konference.
Më datën 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Review“ duke njoftuar për emërimin e Kristo Dakos në zyrën e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, më 7 dhjetor 1921, mes tjerash rikujton, se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike master në vitin 1913 në departamentin e edukimit të Universitetit të Oberlinit. Po në këtë vit Parashqevia kthehet nga Shtetet e Bashkuara, emërohet drejtoreshë e Shkollës Shqipe të Vashave të Korçës, dhe shkolla në fjalë dislokohet nga Korça në Tiranë.

Më 2 korrik 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe të dy motrat: Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut,[5] ndërsa në vitin 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet.

Më 15 tetor 1943 Sevastia dhe Parashqevia, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen nga forcat nazifashiste dhe dërgohen në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit në Serbi. Në tetor të këtij viti, të internuarit në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit lirohen dhe pas peripecive të shumta Parashqevia arrin në Shqipëri.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa e Institutit Qiriazi shtetëzohet pa asnjë shpërblim ndërsa vetëm në vitin 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhërin e Lirisë” ndërsa në vitin 1962 u dekoruan me “Urdhërin për veprimtari patriotike.”

Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970 ndërsa më 1987 dekorohet “Post Mortem” me titullin “Mësuese e Popullit”..