“Grenelli, i veshur me bluzë vija-vija, dukej si i burgosuri i Vuçiqit në Beograd”

0
452

Nga Kimete Berisha

Grenelli, i veshur me bluzë vija-vija, dukej si i burgosuri i Vuçiqit në Beograd.
Thënë më saktë, dukej i sapoliruari nga burgu.
‘Vijat e bletës’ u thonë amerikanët bluzave me vija (në këtë rast, bëhet fjalë për vija horizontale), kanë qenë uniformat e burgjeve amerikane deri vonë.
Bluza është me përmbajtje qind për qind pambuk, kurse pambuku është më i fortë kur është i lagur.
Grenelli dukej goxha si Elvisi në ‘Jailhouse Rock’, por, më mbeti merak që nuk ia pamë edhe tlinat a i kishte me vija-vija si Elvisi.
Në Danub atmosferë e gjallë. Anija, hëna e re, romantikë, qirinj e muzikë.
Serbët ia këndonin Grenellit ‘Sweet Home Alabama’.
Këtë këngë e zgjodhën serbët t’ia këndonin Grenellit, sepse është raciste dhe e lavdëron George Wallacen, që ishte katër herë guvernator i Alabamës dhe ishte segregacionist i vendosur.
Serbët ia kënduan Grenellit edhe ‘Country roads’, si metaforë për ‘Autostradën e Paqes’ që e kthen Serbinë në Kosovë.
Kënga ka tekst shumë të bukur se veç tjerash, thotë:
‘Country roads, take me home
To the place I belong’.
Logjikisht, pa pasur rrugë nuk mund të kthehesh ‘në shtëpi’, prandaj ndërtohet rruga.
Avdullah Hoti dhe Hashim Thaçi po e integrojnë Kosovën në Serbi, me pare të Grenellit.
Por, fërterja ndodhet në zjarrin e Prishtinës, kurse peshku në Beograd.
Zyra e dollarëve ështē në Beograd, drejtori i zyrës është serb, kënga këndohet në Beograd, amerikanët e gjejnë respektin në Prishtinë, por kënaqësinë në Beograd.
E kuptoj Grenellin.
Çka të duhet respekti kur nuk kënaqesh.
Tani shqiptarët po e shohin me sytë e tyre se si Serbia po ua ‘merr’ edhe Amerikën, me dy këngë e gjysmë, një peshk dhe një Jezus.
Shqiptarët s’janë interesantë.
Veç xhamadanin e kanë me vija-vija.
Dhe vetë shqiptarët e shkatërruan Kosovën.
Sot, edhe armiku më i tërbuar e do Kosovën më shumë se shqiptarët.
Dil në penxhere, shikoje pak Kosovën sa e ndyrë, sa e rrjepur, e vjedhur, e plaçkitur, e paditur, e ngratë dhe sa e pashpresë dhe e braktisur duket.