Gratë që punojnë taksi? Në Kosovë thuajse asnjë!

0
424
Për plot dy vite ka ushtruar profesionin e taksistes. Rast i rrallë në Kosovë.

Ajo me veturën e saj golf 2, iu shërbente udhëtarëve Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas.

Por, ka pothuajse një vit që ajo e la punën si taksiste, për arsye që nuk i dinë as kolegët e saj.

E quanin Like, e kolegët e saj taksistë e përshkruajnë si një grua tepër të zonjën.

“E zonja ka qenë. E sjellshme, e sinqertë”, thotë taksisti E.Vuthaj.

Ai tregon se kolegia e tij taksiste ka punuar sikur të gjithë të tjerët aty, nuk thotë të ketë pas ndonjë problem ndonjëherë.

“Ka punuar në mesin tonë dy vjet.  Njësoj, këtë transport që e kemi kry na e ka kry edhe ajo njëjtë sikur na. Jemi munduar me u sjellë mirë sikur me një motër tonë. Ajo u sjellë ndoshta edhe më mirë me ne”, thotë ai.

Vuthaj thotë që në shumë raste ajo ka punuar me familjarë, që sipas tij, ka qenë më e lehtë edhe për të edhe për pasagjerët.

“Ne marrim njëri pas tjetrit, e zbatojmë rendin. Nuk ka pas telashe. Kur kemi pas mundësi i kemi dhënë edhe përparësi, të shkojë më herët”, thotë ai.

Aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë taksiste grua. Në disa kompani të taksive herë pas herë ka qenë e punësuar ndonjë njeri të gjinisë femërore, por çdo herë afat shkurtë.

“Nuk aplikojnë femrat tek ne, meshkujt po. Femra nuk ka që aplikojnë”, thotë njëri nga pronarët e taksive në Kosovë.

Pse nuk ka gra taksiste në Kosovë, nuk lidhet këtu çështja e sigurisë. 24 orë veturat janë nën vëzhgim.

Në Kosovë, ende janë shumë profesione të cilat mendohen të jenë të ‘rezervuara’ vetëm për meshkujt. Një ndër ta mbetet edhe profesioni i taksistit.

Sociologia, Linda Gusia thotë se ende ekziston një paragjykim drejtë grave në këtë aspekt.

Megjithatë, sipas saj, shumë shpejtë në Kosovë do të dalë një numri madh i grave që do të ushtrojnë profesionin e taksistes.

“Tradicionalisht posti i taksistit është i burrave. Është një farë paragjykimi që gratë nuk janë shumë të kujdesshme në vozitje, edhe pse statistikat e tregojnë të kundërtën. Por, puna e taksistit është edhe punë me rrezik. Megjithatë, në çdo profesion që dominojnë burrat është vështirë me e thy tabunë. Duhet guxim për për ta sfiduar. Derisa të dalin disa gra që ta thyejnë këtë paragjykim. Por, mendoj që së shpejti do të ketë gra taksiste edhe në Kosovë”, thotë ajo.

22 marsi njihet si Dita Botërore e Taksistëve.

Ky profesion mbetët sfidues për gratë në shumë vende të botës. Në Kosovë kjo ditë i gjen kompanitë e taksive pa ndonjë grua taksiste.