GLPS thotë se partitë politike nuk janë transparente për shpenzimet në fushata zgjedhore

0
45

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkon që partitë politike të bëjnë transparente shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke i publikuar në KQZ në kohë të gjitha të hyrat.

Në një konferencë për media, Njomza Arifi, menaxhere e programeve në këtë organizatë, ka thënë se subjektet politike nuk janë publikojnë shpenzimet e tyre gjatë zgjedhjeve.

” Për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 nuk ka raport të auditimit për shpenzimet e bëra nga partitë gjatë fushatës zgjedhore. Në listën e emrave të donatoreve nuk figurojnë bizneset si financues. Që nga pas lufta shumica e partive e kanë mbajtur të fshehtë shumën e shpenzimeve”,ka thënë Arifi.

Në këtë drejtim, këto janë kërkesat e Grupit për Studime Juridike dhe Politike:

• GLPS bën thirrje që partitë politike të bëjnë transparente shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke i publikuar në kohë të gjitha të hyrat dhe shpenzimet në një mënyrë që të jenë të qasshme për çdo qytetar

• Partitë politike duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara për aktivitetet e tyre në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik. Prandaj, duhet evituar të gjitha donacionet nga të cilat dhuruesi në mënyrë të qartë mund të përfitoj ndonjë avantazh ekonomik. Të gjitha donacionet të kenë të përfshire emrin dhe numrin e regjistrimit për personat juridik, dhe për emrin, mbiemrin dhe adresën për personat fizik;

• Partitë politike të mbesin në kuadër të limiteve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;

• Çdo parti politike duhet të autorizojë një zyrtar financiar që mban përgjegjësinë për regjistrimin e të ardhurave, shpenzimin e mjeteve, dorëzimin e raportit final të mjeteve të harxhuara dhe përgatitjen e raportit financiar të fushatës zgjedhore. Ky zyrtar financiar dhe kryetari i subjektit politik janë ligjërisht përgjegjës për saktësinë e të gjitha informatave të cilat duhet të dorëzohen në KQZ. Gjithashtu çdo subjekt politik duhet të ketë dëftesat për të gjitha shpenzimet që tejkalojnë shumën prej njëqind euro (100 €);

• Raportet financiare për shpenzime gjatë fushatës zgjedhore duhet të përfshijnë edhe ato nga degët dhe pjesët përbërëse të tyre, për periudhën që fillon nëntëdhjetë (90) ditë para zgjedhjeve dhe me mbarim në ditën e zgjedhjeve. Raporti financiar dorëzohet jo më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë kalendarike pas ditës së zgjedhjeve;

• Gjithashtu, ftojmë KQZ-së që sipas kompetencave ligjore të rregulluara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret mbi Financimin e partive politike dhe sanksionet, të i’u shqiptoj gjoba partive politike të cilat vonohen në dorëzimin e raporteve financiare.