Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin për shpërlarje parash, ku ishin konfiskuar rreth 1 milion euro

0
201

Gjykata Supreme e Kosovës me një vendim të datës 15 qershor 2020, ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj M.S dhe F. S të cilët me vendimin e Gjykatës Themelore dhe të vërtetuar më pas nga Gjykata e Apelit, ishin dënuar me burgim me kusht si dhe iu kishin konfiskuar rreth 1 milion euro, raporton Drejtësia Sot.

Kujtojmë që Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, me datë 28 mars 2019, kishte shpallë fajtor F. dhe M.S., për shkak të veprës penale, si bashkëkryerës, shpërlarja e parasë. Kjo Gjykatë ka dënuar secili veç e veç, me burgim në kohëzgjatje pre 2 vite burgim, me kusht që i njëjti të mos ekzekutohet në periudhën verifikuese prej 2 viteve dhe iu është shqiptuar dënim me gjobë secilit veç e veç, në shumë prej 5.000 euro, i cili dënim do të paguhet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu ndaj të akuzuarve iu ishte shqiptuar dënimi plotësues konfiskimi i pasurisë si rezultat i përfitimit nga kryerja e veprës penale dhe atë në shumë prej 946,820.84 euro.

Këtë vendim të gjykatës Themelore e kishte vërtetuar gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti.

Por pas paraqitjes së kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të akuzuarëve, Gjykata Supreme në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Nesrin Lushta(kryetare), Valdete Daka dhe Agim Maliqi anëtar, gjeti se aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë për këtë rast janë ndërrmarë me shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal në dëm të të akuzuarëve.

Në arsyetimin e këtij vendimi të Supremes thuhet që duke vlerësuar pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, të parashtruar nga mbrojtja e të dënuarëve, gjen se në arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë nuk janë dhënë arsye lidhur me faktet se a kanë pasur dijeni të dënuarit se pasuria-fitimi i K.R. dhe D.L., rrjedh nga aktiviteti kriminal.

Sipas Supremes, në arsyetim të vendimit të Themelores, përveç parafrazimit të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimin e terrorizmit dhe provave të administruara në shqyrtimin kryesor nuk jepen arsye se pse të dënuarit e kanë ditë apo është dashur të dinë se paratë e transferuara në xhirollogarinë të kompanisë së përbashkët kanë burim nga aktiviteti kriminal.

Më tutje, në arsyetimin e Supremes thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dështuar që në arsyetim të jep arsye të mjaftueshme ligjore se mjetet financiare janë fituar në mënyrë të kundërligjshme edhe pse në arsyetim thuhet se këto mjete janë fituar në mënyrë të kundërligjshme duke mos dhënë arsye apo mënyrën se si këto mjete janë përfituar.

Përveç kësaj Supremja, konstaton që elementi qenësor për kryerjen e kësaj vepre penale (shpëlarjes së parave) është fakti që një person duhet të jetë në dijeni apo duhet të ketë arsye për të ditur se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pasuri kjo e cila në të vërtetë fitohet me vepër penale, apo kushdo që duke besuar se pasuria e caktuar fitohet nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal bazuar në përfaqësimet e bëra si pjesë e një hetimi zbulues të zhvilluar.

Mirëpo, në këtë situatë, Supremja thekson se në aktgjykimet e Themelores dhe të Apelit, nuk janë dhënë arsye të duhura ligjore se me çka është vërtetuar se të dënuarit kanë qenë apo është dashur të jenë në dijeni për burimin e paligjshëm të parave të transferuara.

Sipas Supremes në aktgjykimin e shkallës së parë kemi konstatime të cilat nuk janë të bazuara në prova dhe fakte të administruara në shqyrtim gjyqësor por vetëm në supozime dhe paragjykime.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Special Faik Halili, F. S. dhe M. S., gjatë periudhës 21 shkurt e deri me 30 korrik 2017, me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, kanë pranuar transfere ndërkombëtare, mjete të rrjedhura nga aktivitetet kriminale, nga personat e dyshuar K. R. dhe D. L.

Të katërtit, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë me qëllim të pastrimit të parave kishin regjistruar biznesin me emër “NICUMA”, me veprimtari të tregtimit me metale të çmuara, shërbime edukimi, kishin hapur xhirollogari në të cilën kishin pranuar mjete monetare të shumave milionëshe, nga kompania ilegale “One Life Network Limited”, nga vendi Belize.

Prokuroria pretendon se njëri nga elementet që dy të akuzuarit dyshohen për shpëlarje të parave, është se bashkëpronari i firmës “NICUMA”, K. R., ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata në Danimarkë, me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe më gjobë në shumën prej 590.000 euro, për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Në aktakuzë, thuhet se ndaj të dyshuarve K. R. dhe D. L., është duke u zhvilluar procedura e sigurimit të tyre për tu intervistuar, pasi që ata nuk gjenden në Kosovë, gjenden në arrati.

Prokuroria të akuzuarit F. S. dhe M. S. i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parave”, e cila vepër sanksionohet sipas Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit./DrejtesiaSot