Gjykata nuk i jep të drejtë Blerim Gjocit për filmin “Kthimi”

0
541

Filmi “Kthimi” me regji të Blerta Zeqirit ishte mollë sherri në mes regjisores dhe Blerim Gjocit, i cili në atë kohë udhëhiqte Festivalin e Filmit të Shkurte “Nine Eleven”, shkruan KultPlus. Gjoci, pretendonte se autor i filmit duhej të njihej festivali, brenda të cilit ishte krijuar filmi, dhe poashtu pretendonte se edhe çmimet do të duhej ti takonin organizatorit, për të cilin edhe kishte paditur Blerta Zeqirin.

Kjo e fundit, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar që kërkesëpadia nga “Nine Eleven”, është refuzuar si e pabazë, e cila ka dhënë edhe shpjegimet për këto probleme në mes Zeqirit dhe Gjocit. KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Blerta Zeqirit.

Pas 7 vitesh, më në fund u arrit drejtësia, duke u refuzuar si e pabaze kërkesëpadia që “Nine Eleven” ka ngritur kunder meje lidhur me çmimet e filmit të shkurtër “Kthimi”.

OJQ “Nine Eleven”, e kryesuar atëbotë nga Blerim Gjoci (poashtu kryetar i VAPIK), në vitin 2012 pat ngritur padi kundër meje duke kërkuar që unë ta pranoj organizatën si autore të filmit dhe t’ia kthej çmimet që filmi kishte fituar nëpër festivale, përkundër faktit që të gjitha festivalet në fjalë e kanë konfirmuar me shkrim që çmimet i takojnë regjisores. Si rezultat i këtij konflikti, Blerim Gjoci e mbylli veprën në sirtar, duke mos e lënë të shfaqet në shumë raste dhe për herë të parë në histori të Akademisë Europiane të Filmit, duke e tërhequr edhe nga nominimi për çmimin vjetor të filmit më të mirë të shkurtër europian të kësaj akademie prestigjioze (kjo gjithashtu ishte hera e parë që një film i shkurtër kosovar u nominua për filmin më të mirë të shkurtër europian). Arsyeja e tërheqjes ishte që Gjoci si producent, edhe pse në të vërtetë nuk e kishte kryer punën e producentit gjatë bërjes së filmit, dëshironte të ishte pranuesi evetual i çmimit në rast të fitores në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vitin 2012. Akademia Europiane e Filmit i kishte shkruar qartazi atëbotë që rregullorja e tyre e cekë që në rast të filmave të shkurtër shpërblimin e pranon regjisorja e jo producenti.

Edhe pse e tërë kjo kohë ka qenë shumë e vështirë për mua, edhe pse në momentin kur ka ndodhur e kam ndjerë si pengesën më të madhe që më ka dalë ndonjëherë në punë e jetë, nga thellësia e zemrës jam falënderuese për secilin send, sidomos për faktin që të mos ishte ky rrugëtim, nuk do të mesoja shumë gjëra që kam mësuar, që kanë të bëjnë me punën dhe relacionet në punë, por edhe nuk do ta shihja mirësinë, profesionalizmin dhe njerëzoren e shumë njerëzve që më kanë ndihuar në këtë betejë. Njëri prej tyre është edhe avokati im Kujtim Kerveshi (Kërveshi and Partners Law Firm), i cili me zemër të mirë dhe në emër të drejtësisë më ka përfaqësuar në këtë rast dhe ndihmuar ta sjellim drejtësinë në vend.

Shpresoj që kjo përvojë, sado e hidhur për mua dhe e dëmshme për kinematografinë tonë, sidomos në një kohë kur ishim duke i marrë këmbët nëpër botë, të shërbejë si shembull i rregullimit të relacioneve në mes producentëve dhe autorëve të filmave të shkurtër, por edhe të gjatë.

Për fund, regjisoret dhe regjisorët e rinj do t’i kisha këshilluar që të kenë kujdes për vendosjen e emrave të producentëve në filmat e tyre të ardhshëm, pasi që një vendim që gjatë bërjes së filmit mund të duket i thjeshtë dhe i pasherr, pas përfundimit të tij mund të ketë pasoja të mëdha.