Gjykata i jep 30 ditë paraburgim të pandehurit për vrasje të rëndë dhe dy tentim vrasje

0
108

C.I., i arrestuar si i dyshuar për kryerjen e vrasjes së rëndë dhe dy vepra tjera penale të vrasjes në tentativë, pritet të qëndrojë 30 ditë në paraburgim. Kjo pasi Gjykata Themelore e Gjakovës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, njofton Drejtësia Sot.

Gjykata Themelore në Gjakovë, nëpërmjet një komunikate për media ditën e së mërkurës ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit C.I., pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Në këtë komunikatë po ashtu sqarohet se si i pandehuri C.I., më 07 korrik 2020 rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, në shtëpinë e tani të ndjerit N.M., me dashje për motive ende të pa njohura, me mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.M. i moshës 60 vjeçare, po ashtu, i pandehuri C. I., i godet me thikë të dëmtuarit D.M. dhe M.M. duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit e më pas me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime i pandehuri C. I., dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe dy vepra tjera penale “Vrasja” të ngelura në tentativë, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në fund të kësaj komunikate thuhej, se ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./DrejtesiaSot