Gjykata i jep 30 ditë paraburgim policit që sulmoi qytetarin në Prishtinë

0
75

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate ka bërë të ditur që e njëjta ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.A, zyrtar policor, për shkak të veprave penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, raporton Drejtësia Sot.

Kjo gjykatë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, sot ka marrë aktvendim dhe të pandehurit R.A., i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është caktuar, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri, R.A., në liri mund të ndikojë në dëshmitarë, por edhe në të dëmtuarin, i cili akoma nuk është dëgjuar për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.

Po ashtu, Gjykata vlerëson se në rastin konkret ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, pasi që në shkresa të lëndës ka prova se kjo është hera e dytë që i pandehuri, R.A., ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarit, L.B.

Në fund të aktvendimit thuhet se i pandehurit ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kujtojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media kishte deklaruar se zyrtari policor, R.A., më 05 prill 2020, e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, pasi që e ka ndaluar në një pikë kontrolli të dëmtuarin dhe ndaj tij ka ushtruar dhunë fizike, duke e sulmuar në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Në njoftim thuhej se si pasojë e këtyre lëndimeve,  një ditë më vonë, i dëmtuari ka pësuar sulm në tru, duke humbur vetëdijen dhe si rrjedhojë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.