Gjykata e Pejës e dënon me 800 euro gjobë të akuzuarin që i’u ofroi policëve 50 euro ryshfet

0
59

Gjykata Themelore e Pejës në Departamentin e Krimeve të Rënda, i ka shqiptuar dënim me gjobë të akuzuarit për dhënie ryshfeti pasi që ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, raporton Drejtësia Sot.

Sipas gjyqtarit të çështjes Sami Sharaxhiu, ndaj të akuzuarit Esad Rastoder, është shqiptuar dënim me gjobë prej 300 euro si dhe dënim me burgim efektiv prej 6 muajve i cili me pëlqimin e të akuzuarit i është zëvendësuar në dënim me gjobë prej 500 euro.

Si rrjedhojë, gjykata të akuzuarit i ka shqiptuar dënim unik prej 800 euro gjobë, ndërsa parat me të cilat është kryer vepra penale në shumë prej 50 euro janë konfiskuar dhe të njëjtat do t’i alokohen buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 16 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore e Pejës, i akuzuari Esad (Rasim) Rastoder, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka ofruar të holla në shumën prej 50 euro, personit zyrtar në mënyrë që të mos veproj sipas detyrave të tij zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi i akuzuari ndalohet nga ana e policisë, i merret dokumentacioni dhe konstatohet se i njëjti ishte duke e drejtuar veturën në gjendje të dehur prej 158 promilë, pasi njoftohet se kishte kryer kundërvajtje, i akuzuari iu kishte ofruar shumën prej 50 euro zyrtarëve policor, në mënyrë që ta lirojnë, mirëpo ata e kishin arrestuar dhe shumën e të hollave e kishin sekuestruar./DrejtesiaSot