Gjithçka duhet të dini për sëmundjen e Tuberkulozit

0
160

Tuberkulozi shkaktohet nga bakteri (Mykobakteri tuberkulosis), i cili më shpesh prek mushkëritë. Duhet të dini që tuberkulozi (TB) është një sëmundje e parandalueshme dhe e kurueshme. Kjo sëmundje përhapet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet ajrit.

Njerëzit e sëmurë me tuberkuloz në mushkëri, në momentin që kolliten, apo teshtijnë, përhapin në ajër bakterin e TB-së. Një person mund të thithë disa nga këto baktere dhe të infektohet.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përafërsisht një e katërta e popullatës në botë ka TB latente, që do të thotë se njerëzit janë infektuar me bakterin, por akoma nuk janë të sëmurë dhe nuk mund ta transmetojnë sëmundjen. Njerëzit që janë infektuar me bakterin e TB-së kanë 5-15 për qind rrezik që të sëmuren.

“Megjithatë, njerëzit me sistem imunitar të dëmtuar, si: ata që janë HIV pozitiv, të kequshqyerit dhe diabetikët, ose ata që janë duhanpirës, kanë një rrezik më të madh për t’u sëmurur nga tuberkulozi”, shkruan Dita.

Kur një person sëmuret me tuberkuloz, simptomat (si: kolla, temperatura, djersitja natën apo humbja në peshë) për disa muaj mund të jenë të një forme të lehtë, duke vonuar kërkimin e ndihmës mjekësore, gjë që çon në infektimin e njerëzve të tjerë për sa kohë personi nuk merr mjekim. Njerëzit me tuberkuloz aktiv mund të infektojnë 10-15 njerëz të tjerë nëpërmjet kontaktit të ngushtë përgjatë një viti.

Kush është më i rrezikuar

Tuberkulozi prek kryesisht të rriturit në periudhën më produktive të jetës. Megjithatë, të gjitha grup-moshat janë të rrezikuara. Mbi 95 për qind e rasteve të diagnostikuara dhe e vdekjeve ndodhin në vendet në zhvillim.

Njerëzit e infektuar me HIV kanë një rrezik 20-30 herë më të lartë për të pasur tuberkuloz aktiv. Gjithashtu, ky rrezik është i lartë edhe për njerëzit të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilat kanë dëmtuar sistemin imunitar.

Përdorimi i duhanit e rrit shumë rrezikun për sëmundjen dhe vdekjen nga tuberkulozi. Përafërsisht 8 për qind e rasteve me tuberkuloz në mbarë botën i atribuohen duhanpirjes.