Gjilani e Prishtina vazhdojnë me fitore, Flamurtari arkëton tri pikë të mëdha në Skenderaj

0
66

Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 25-të në Ipko Superligë. Gjilani ka shënuar fitore të lehtë në duel me Vushtrrinë, me rezultat 3:0, duke e mbajtur hapin me skuadrat e tjera të kreut në garën për titull të kampionit. Golat për gjilanasit i shënuan Muamer Svraka, Franc Veliu dhe Keita Razak. Fitore tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë ka realizuar Flamurtari si mysafir, duke e mundur Drenicën, me shifrat 2:1. Autorë të golave për kuqezinjtë e kryeqytetit ishin Shend Kelmendi dhe Adem Maliqi, derisa golin e vetëm për drenicasit e realizoi Alban Shillova nga penalltia në minutat shtesë të ndeshjes. Tani Flamurtari e përforcon pozitën e 8-të me 32 pikë, dy më pak se Drenica që gjendet një pozitë më lart.

Ndërkohë, në orët e mbrëmjes është zhvilluar edhe ndeshja e fundit e ditës së sotme, ku Prishtina ka shënuar fitore në duel me Dukagjinin, me rezultat 4:1, për ta ruajtur pozitën e dytë edhe pas kësaj jave. Megjithatë, deri te kjo fitore bardhekaltrit e kryeqytetit erdhën më vështirë se sa ishte menduar, ngase deri në minutën e 68-të rezultati ishte i barabartë, 1:1.

Rezultatin e zhbllokoi Otto John me golin e shënuar me kokë pas harkimit të Armend Thaçit në minutën e 30-të. Baraspeshën në rezultat e riktheu Altin Merlaku po ashtu me golin e shënuar me kokë në minutën e 43-të. Sidoqoftë, rezistencës së mysafirëve u dha fund sulmuesi me përvojë i prishtinasve Ahmet Januzi, i cili shënoi në minutën e 68-të, derisa më pas dilemat e fitores i hoqën Meriton Korenica dhe Kreshnik Uka me golat e shënuar në minutat 85’ e 88’.