Gjermania dhe Britania e Madhe ende të bllokuara nga dëbora

0
75

Në Londër reshjet e dëborës vazhdojnë që prej dje në mëngjes duke mbuluar parqet me një shtresë të bardhë të trashë.

Në veri dhe lindje trashësia e dëborës mund të arrijë deri në 15 centimetra.

Disa qendra vaksinimi kundër koronavirusit janë mbyllur, në Ipswich dhe Colchester veçanërisht, ndërkohë që vendi, aktualisht i kufizuar, vazhdon fushatën me ritme të shpejta me objektivin për të mundësuar lehtësimin gradual të kufizimeve.

Disa shkolla, që janë hapur aktualisht vetëm për fëmijët të shtresave të ndjeshme dhe të punonjësve thelbësorë, janë mbyllur gjithashtu në juglindje të Anglisë dhe në Lincolnshire.

Në Gjermani dhjetëra shoferë kanë kaluar natën në automjetet e tyre, të bllokuar nga dëbora në një autostradë në veriperëndim të Gjermanisë, njoftoi sot policia lokale.

“Këta shoferë dhe drejtues kamionësh u bllokuan për rreth 30 kilometra në autostradën A2 pranë Bielefeld (Nordrhein-Westfalen) për shkak të reshjeve të mëdha të borës në Gjermani për më shumë se 48 orë”, sipas policisë.

Disa kamionë dolën nga rruga për shkak të gjendjes së rrugës, duke bërë që autostrada të mbyllet në të dy drejtimet.

Shumica kanë kaluar rreth 16 orë në automjetet e tyre, në të ftohtë. Forcat e shpëtimit u siguruan atyre batanije dhe pije të nxehta.

“Situata e përgjithshme është e vështirë”, deklaroi një zëdhënës i policisë së Bielefeld për shtypin.

“Do të duhet shumë kohë që bllokimi i trafikut të zbutet”, shtoi një zëdhënëse për qendrën e kontrollit të autostradave në rajon.

Shoferët ishin gjithashtu të bllokuar për një pjesë të natës në Gjermaninë qendrore në autostradën A4.

Ministri i Transportit, Andreas Scheuer u bëri thirrje banorëve të Gjermanisë veriore dhe qendrore të shmangin daljet me makinë të paktën deri të mërkurën.

“Këto reshje dëbore dhe ngricat kanë shkaktuar vonesa dhe anulime në rrjetin hekurudhor”, sipas Deutsche Bahn.

Pas reshjeve të mëtejshme që priten në veri të martën dhe të mërkurën, këto reshje do të ulen më pas në intensitet. I ftohti pritet të mbetet intensiv.

Reshjet e dëborës kanë vazhduar gjithashtu edhe në vende të tjera europiane si Belgjikë, Danimarkë duke kaluar nga Europa Qendrore.

Situata paraqitet e vështirë në një pjesë të madhe të Britanisë së Madhe, në jug nga Anglia në Skoci në veri duke kaluar nga një pjesë e Irlandës së Veriut./ATSH