Gjermani: teste të shpejta kundër Covid-19 në shtëpi

0
125

Një test i thjeshtë e i shpejtë për Covid-19 në shtëpi do t’i bënte shumë gjëra më të lehta dhe mund të ndihmonte në luftën kundër pandemisë. Ministria gjermane e Shëndetësisë dëshiron ta nisë këtë.

Në Gjermani së shpejti mund të ketë teste të shpejta për Coronan në shtëpi. Ministria Federale e Shëndetësisë po planifikon një ndryshim përkatës në “Urdhëresën për Shpërndarjen e Pajisjeve Mjekësore”. Kjo do të bëjë të mundur shitjen e testeve të lehta për t’u përdorur nga individë privatë. Testet e deritashme të shpejta të antigjenit mund t’u jepen vetëm mjekëve, institucioneve mjekësore ose mjediseve të kujdesit. Institucionet arsimore kanë qenë gjithashtu marrës të mundshëm të këtyre testeve që nga dhjetori.

Janë planifikuar procedura të reja të thjeshta, të cilat deri tani nuk kanë qenë në dispozicion në këtë mënyrë. “Ne flasim shprehimisht për teste vetjake, që janë më të lehta për t’u përdorur”, tha një zëdhënës i ministrisë.

Produktet duhet të çertifikohen dhe të japin rezultate me kuptim, por të jenë të përdorshme nga amatorë, në një mënyrë të tillë që rreziku i rezultateve të gabuara të jetë relativisht i vogël. “Ende nuk ka teste të shpejta që janë të çertifikuara dhe të disponueshme në sasi të mjaftueshme për t’u kualifikuar për një rregullore të tillë.”

Ende duhet të kalojnë procesin e miratimit

Në projektin e ministrisë shkruhet se, në të ardhmen, testet për përdorim vetjak nga amatorët do të luajnë një rol vendimtar në frenimin e pandemisë: “Teste të tilla janë një kontribut i rëndësishëm për përsosjen e strategjisë së testeve në Gjermani”.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Diagnostifikimit, Martin Walger, tha se sipërmarrjet tani mund të punojnë me ritëm të shpejtë për miratimin e testeve të tilla. Por do të duhen “disa javë” derisa të ndodhë kjo. Prandaj, janë të mundshme variante të ndryshme, të tilla si mostrat me tampon në hundë, që nuk duhet të merren më thellë, ose të ashtuquajturat teste të gargarës dhe pështymës.

Lidhur me çmimet e mundshme të testeve të tilla, shoqatat e farmacistëve thanë që ato do të llogariteshin dhe raportoheshin individualisht nga secili prodhues dhe secila farmaci, veçanërisht sepse testet ndryshojnë edhe në cilësinë dhe përdorimin e tyre.

Përdorimi i testeve edhe në jetën profesionale

Ndryshimi i planifikuar i urdhëresës nga Ministria e Shëndetësisë ofron gjithashtu më shumë mundësi për të përdorur testet e deritashme të antigjenit të shpejtë në jetën profesionale. Për këtë qëllim, grupi i institucioneve që kanë qasje në testet e shpejta do të zgjerohet. Edhe institucioneve të “infrastrukturës kritike” u është dhënë gjithashtu mundësia për të marrë teste, tha ajo. Lehtësime në këtë kuadër u përmendën për fushat e energjisë, teknologjisë së informacionit, telekomunikimit, transportit dhe qarkullimit.

Lauterbach: teste të rregullta edhe në sipërmarrje

Eksperti i SPD për shëndetin, Karl Lauterbach bëri thirrje për teste të rregullta në sipërmarrje. “Studimet tregojnë shumë qartë: po ta testoni fuqinë punëtore të sipërmarrjeve dy herë në javë me një test antigjeni, si të thuash, në fillim të punës, për ata që nuk punojnë në shtëpi, atëherë mund të ulet në mënyrë masive numri i infeksioneve të reja”, tha Lauterbach në një intervistë me RTL/ntv./DW