Gjeneva, metropoli ku bashkëjetojnë 163 nacionalitete

0
554

Gjeneva, metropoli zviceran që shtrihet buzë Liqenit Leman dhe nën hijen e Mont Blanc është qyteti ku bashkëjetojnë 163 nacionalitete. një meltingpot i vërtetë, simbol i harmonisë multikulturalizmit.

Në këtë qytet ka më shumë organizata joqeveritare krahasuar me çdo vend tjetër. Këtu kanë selitë Kryqi i Kuq dhe Kombet e Bashkuara dhe prania e kaq shumë identiteteve i jep atij një ndjesi globale. Më shumë se 40% e rezidentëve nuk janë zviceranë dhe vijnë nga 163 kombësi të ndryshme.

Kantoni i Gjenevës sot ka mbi 400 mijë banorë me rrethinë, ku vetëm në qytetin e Gjenevës sot jetojnë dhe veprojnë mbi 200 mijë banorë, përfshirë këtu edhe edhe mijëra shqiptarë. Kjo qendër evropiane, tashmë metropol ndërkombëtar ka mbi 24.000 ambasadorë, gazetarë, diplomatë e përfaqësues të të gjitha vendeve botërore dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare (OKB, HCR, ICRC, WHO, OMC, UPI, OMPI, UIT, UNESCO…).

Gjeneva, qyteti me standardin më të lartë të “luksit”

Sipas shtypit zviceran gati 50% e popullsisë përbëhet nga të huajt, në mesin e 200 mijë banorëve sa ka sot qyteti i Gjenevës pa rrethinë, ku mbi tetë mijë janë shqiptarë, kryesisht nga Kosova.

Këtu jeton Sofia Loren, Shania Twain, Phil Collins. Sheikët kalojnë pushimet në hotele ku nata shkon me dhjetra mijë Euro.

Rrugëve të Gjenevës vozitësve të makinave apo kalimtarëve të rastit, sidomos turistëve iu bie në sy mes shenjave të trafikut edhe ajo “Palais des Nations – ONU” pra ajo që të shpie drejt selisë së Kombeve të Bashkuara. Rrugës për në parkun kryesor të qytetit vihet re edhe selia e parë e Kryqit të Kuq CICR). Në të gjendet statuja e “Jet d’eau” – shatërvanit si simbol dhe synonim i qytetit të Gjenevës (sikur Parisi që ka “Tour Eiffel “) që është 140 metra e lartë dhe në ndonjë mënyrë e tregon fuqinë e vet hidraulike. Pastaj Gjenevës edhe më shumë i jep freski dhe imazh turistik edhe parku “Flower clock”, kopsht ky i mrekullueshëm që rrethohet nga lulet.

Bildergebnis für horloge fleurie genf

Po ashtu në Gjenevë janë prezente qendrat gjigante të markave të njohura të orëve ai ajo “Rolex”, “Swatch” etj..duke mos harruar këtu edhe fabrikën e parë të çokollatave.

Në udhëtim e sipër s’ka si të mos të të bëjë përshtypje ishulli i Rusoit, që është krijuar në kujtim të filozofit nga Gjeneva Jean-Jacques Rousseau, shumë pranë lumit Ron dhe ofron një pamje të mrekullueshme, nëse gjendeni në një prej restoranteve të tij. Rreth tij, në pjesën jugperëndimore shtrihen dy vargje malore: Alpet dhe Jura.

skenderbeu

Busti i Skënderbeut buzë liqenit të Gjenevës…

Gjeneva si një qendër evropiane gjeografisht (dhe jo politikisht) tashmë është shndërruar në një nga qytetet më të njohur të botës si një metropol ndërkombëtar për shkak se në të kanë selinë shumë organizma ndërkombëtare dhe sidomos organizma të Kombeve të Bashkuara. Mos të harrojmë se në këtë qytet dominon një simbol shqiptar, pikërisht busti i Skënderbeut, që ndodhet jo larg Pallatit të OKB-së, buzë liqenit, saktësish pas ndërtesës së Organizatës Botërore të Tregtisë (ILO) ngjitur me liqenin. E si të mos ndihesh krenar për një hero të ngulitur një herë e përgjithmonë në mendjen e evropianëve! Me bustin e Skënderbeut Gjeneva ka nderuar jo vetëm heroin tonë por edhe mbarë shqiptarët. Po ashtu në Gjenevë funksionon edhe Universiteti Popullor Shqiptar (UPA/UPSH) i themeluar për herë të parë nga z.Ueli Leunberger , ish kryetar i Partisë të të Gjelbërve deputet në Parlamentin Zviceran në Bernë.

okb

Shqipëria në selinë e OKB-së në Gjenevë më vitin 1920

Kah fundi i viti 1919 Fan Noli ishte emëruar kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 natyrisht me mbështetjen e fuqishme të presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson,  emrin e të cilit sot e mban edhe hoteli më i madhe dhe më luksoz në Gjenevë dhe Zvicër “Hotel Wilson” i cili gjendet pranë liqenit, afër ndërtesës së parë të selisë së Kombeve të Bashkuara.

 

hotel-president-wilson-lux1274ex-177368-exterior-view-of-the-hotel-at-twilight

Po ashtu sot në Gjenevë gjendet edhe Misioni diplomatik i Republikës të Shqipërisë, Konsullata e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe shefi i MIsionit diplomatik të Maqedonisë është shqiptar.

Qyteti i Gjenevës konsiderohet nga vendorët dhe të huajt si qyteti numër një për nga standardi dhe luksi.

Nëse Zvicra është një vend neutral, Gjeneva vetë për shkak prezencës së institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, mund të konsiderohet si një qytet paqeje dhe mozaik i kulturave të ndryshme.

Pavarësisht influencës ndërkombëtare, prapë Gjeneva nuk e humb karakterin e vet të veçantë dhe historinë. Është qytet i Xhon Kalvinit, reformatori të madh protestant.

I linduri në këtë qytet, Henri Dunant, ndjekës i doktrinës kalviniste, ndihmoi në themelimin e Kryqit të Kuq në Gjenevë në vitin 1863 dhe këto ide humanitare frymëzuan Konventën e Parë të Gjenevës në vitin 1864.

Shpirti kalvinist ende i influencon banorët vendas dhe tradita e disiplinës morale dhe shpenzimi me kujdes, ndonjëherë përplasen me shijet ekstravagante të të ardhurve.

Pavarësisht origjinës, të gjithë banorët e qytetit shëtisin bashkë në verë buzë liqenit, ndërsa shatërvani aq i famshëm “Jet d’Eau” e hedh ujin në 140 metra lartë dhe tërheq me qindra njerëz në gadishullin e bërë vetë, që quhet “Les Bains des Paquis”.

Bildergebnis für genf

Qyteti është i ndarë në dy zona, e majta dhe ajo e djathta nga lumi Rhone. “Qyteti i vjetër” mund të gjendet në anën e majtë të lumit, në të cilin janë vendosur mjaft bare dhe restorante të modës, për më tepër që është afër dyqaneve luksoze përfshirë edhe ato të orëve të famshme zvicerane, të vendosura buzë rrugës “Du Rhone”. Në anën e djathtë të lumit, ndodhen stacioni i trenit, si edhe lagjja me drita të kuqe. Këtu jeta e natës është mjaft e gjallë dhe më tepër përzgjedhëse sesa në zonat e tjera të mirërregulluara urbanistikisht.

Pothuajse shumica e banorëve jetojnë në apartamente këtu. Pjesa më e madhe e ndërtesave janë të vjetra, ndërkohë që ato të rejat janë të pakta dhe mjaft larg nga njëra-tjetra.

Ndërkohë, objektet në Qytetin e Vjetër dhe lagjet në zonën “Eaux Vives” kanë një sharm zviceran, me rrugë me kalldrëm dhe shtëpi që datojnë nga shekulli i 16 me gurë gëlqerorë.

Aeroporti i Gjenevës është vetëm 6 km larg qendrës, e kjo ua bën të lehtë banorëve që të udhëtojnë në çdo qytet europian në pak orë.

Falë linjës hekurudhore është e lehtë që të shkosh në qytetet franceze të Lionit dhe Anesisë, si dhe ato zvicerane të Cyrihut dhe Bazelit, të gjitha mund të arrihen brenda tri orëve.

Kurse në dimër, skitë janë sporti më i preferuar dhe ai tradicional dhe resortet e Megeve-së, Port du Soleil-it, Verbier-it dhe Zermatt-it janë më të frekuentuarit.

Jo të gjithë e kanë të lehtë që të jetojnë në Gjenevë. Dhe kjo, sepse ky qytet është i treti me koston më të lartë të jetesës, pas Nju Jorkut dhe Zyrihut.

Por në Gjenevë, edhe rrogat janë ndër më të lartat në botë.

Transporti publik është shumë komod. Abonimi mujor kushton 75 franga zvicerane dmth rreth 75 $, ndërsa bileta ditore kushton rreth 11 franga po ashtu rreth 11 $.

Kur bëhet fjalë për të ngrënë jashtë, çmimet janë të kripura. Por ka supermarket që bëjnë oferta të mira. Gjithsesi, për të huajt është mjaft e vështirë që të paguajnë për një krikëll të madhe birre 9 euro.

Gjithsesi, edhe kjo nuk i ka penguar banorët nga 163 shtete të botës, që ta thërrasin Gjenevën, shtëpi.

E reja më e fundit nga Gjeneva

E reja më e fundit nga qyteti metropol i Gjenevës është se po bëhen përpjekje që edhe popullësia e huaj që përbën gati 50% të qytetit të ketë mundësi për të gëzuar të drejtën e votës, meqë është pjesë e qytetit, kur dihet se të drejtë vote gëzojnë vetëm shtetasit e Zvicrës. Gjeneva ia arrin, që demokracinë direkte të konfederatës ta bëjë pjesë edhe të banorëve të saj që nuk janë helvetikë, koha do ta tregojë.