Gjenerali i famshëm francez, kreu reforma të rëndësishme në administratën franceze dhe në sistemin e drejtësisë

0
400

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 34 me rradhë ka Napolon Bonaparti.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXIV- Napolon Bonaparti

(1769-1821)

Gjenerali i famshëm francez, Napoleon Bonaparti, është lindur në Ajaço të Kosikës në vitin 1769. Franca e kishte marrë Korsikën vetëm 15 muaj para lindjes së tij. Në vitet e hershme Napoleoni ishte nacionalist i tërbuar dhe francezët i shihte si tiranë. Megjithatë, ai u dërgua në Francë për të studiuar shkencën ushtarake. Në moshën 16-vjeçare i kreu studimet dhe në vitin 1785 fitoi gradën e togerit të armatës franceze.
Katërvjet më vonë shpërtheu Revolucioni Francez. Udhëheqësit e rinj francezë e filluan luftën me disa forca të jashtme. Mundësinë e parë për t’u shquar, Napoleoni e pati në vitin 1793, në rrethimin e Tulonit, kur francezët ia rimorën qytetin anglezëve. Ai komandonte artilerinë. Në atë kohë, Napoleoni u tërhoq nga idetë e tij nacionaliste korsikane dhe u quajt francez. Për sukseset që arriti në Tulon, u emërua Gjeneral Brigade. Në vitin 1796 u zgjodh Komandant i armatës franceze ne Itali, ku arriti fitore të plota dhe në Paris u kthye si hero.

Në vitin 1798 Napoleoni komandoi marshimin francez në Egjipt. Pavarësisht nga ndonjë sukses, marshimi i tij në Egjipt pësoi humbje katastrofale nga flota angleze, e cila drejtohej nga Lordi Nelson. Në vitin 1799, duke lënë ushtrinë në Egjipt, Napoleoni u kthye në Francë.

Në Francë njerëzit vazhdonin ta respektonin për heroizmat e tij në Itali. Duke shfrytëzuar me shkathtësi këtë fakt, pas një muaji ai mori pjesë në grushtin e shtetit të 9 Nëntorit 1799. Në pushtetin e ri Napoleoni mori titullin Konsull i Parë. Edhe pse kishte dalë statur i ri, i miratuar nga një plebishit popullor, ai ishte vetëm perde e diktaturës ushtarake të Napoleonit. Ai mori në dorë të gjithë pushtetin dhe shumë shpejt u bë autoritar. Kështu, para rrethimit të Tulonit (Gusht 1793), Napoleoni, me prejardhje jo të pastër franceze dhe i panjohur nga oficerët, pas gjashtë vjetësh, në moshën 30-vjeçare arriti të bëhej sundimtari i paprekshëm i Francës dhe mbeti i tillë për më shumë se 14 vjet.

Derisa ishte në pushtet, Napoleoni kreu reforma të rëndësishme në administratën franceze dhe në sistemin e drejtësisë: reformoi sistemin e financave dhe pushtetin gjyqësor krijoi Bankën Franceze dhe Universitetin Francez, centralizoi administratën. Edhe pse secila nga këto reforma ka rëndësi të madhe për Francën, ato nuk u reflektuan në botën e jashtme. Por, njëra nga reformat e tij do t’i kapërcente kufijtë e Francës. Bëhet fjalë për Kodin Civil Francez, i njohur shumë si Kodi i Napoleonit. Në shumë këndvështrime kodi ishte mishërimi i idealeve të Revolucionit Francez. Për shembull, sipas tij, asnjeri nuk mund të privilegjohej nga prejardhja, por të gjithë qytetarët ishin të njëjtë përpara ligjit. Duhet theksuar se ai kod ishte aq pranë ligjeve dhe zakoneve të vjetra franceze sa që u miratua menjëherë nga populli francez dhe gjyqtarët. I parë në përgjithësi, kodi është i matur, i përpiluar mirë, i shkruar në mënyrë të saktë dhe jashtëzakonisht të qartë. Ja përse ky kod, jo vetëm që ka jetë të gjatë në Francë (edhe i sotmi ngjason shumë me atë të Napoleonit), por është zbatuar edhe në vende të ndryshme të botës me përshtatje të pjesshme. Napoleoni pohonte kategorikisht se ishte trashëgimtar i Revolucionit. Pavarësisht nga kjo, në vitin 1804 u zgjodh Mbret i Francës dhe të tre vëllezërit e tij i vendosi në krye të shteteve të tjera evropiane. Këto veprime të tij, sigurisht patën kundërshtime nga disa republikanë francezë. Sipas tyre, ai kishte kryer tradhti ndaj idealeve të Revolucionit Francez. Por, probleme të mëdha Napoleonit iu krijuan nga luftërat që zhvilloi jashtë shtetit. Në vitin 1802, për t’i dhënë frymë Francës, pas gjithë luftërave të vazhdueshme, nënshkroi në Amien paktin e paqes me Anglinë. Por, pas një viti, paqja u prish. Filluan një varg luftërash kundër Anglisë dhe aleatëve të saj. Edhe pse ushtritë e Napoleonit arritën disa fitore, ato nuk mund ta nënshtronin Anglinë pa ia shkatërruar flotën asaj. Për fat të keq të Napoleonit, në betejën vendimtarë në kepin Trafalgar, në vitin 1805, ai pësoi disfatën shkatërrimtare nga flota angleze. Pas Trafalgarit, kontrolli i anglezëve në det ishte i padiskutueshëm. Përballë kësaj, gjashtë javë më vonë, Napoleoni korri një fitore të madhe në Austerlic kundër armatave të Austrisë dhe Rusisë. Megjithatë, kjo nuk mund të ishte kompensim për humbjen që pësoi në det. Në vitin 1808, Napoleoni me mjaft mendjelehtësi e futi Francën në luftën e gjatë dhe të pamenduar në Gadishullin Iberik, ku ushtritë franceze vuajtën me vite. Por budallallëku më i madh ishte mësymja që i bëri Rusisë. Në vitin 1807, Napoleoni u takua me Carin e Rusisë në Tilzit. Pas bisedimeve, u duk se u lidh një miqësi shekullore. Por, shkallë-shkallë besëlidhja e tyre u prish. Në vitin 1812, Napoleoni, me armatën e tij të madhe, sulmoi Rusinë. Pas disa betejash ushtritë ruse u tërhoqën. Napoleoni përparoi shpejt. Madje, në shtator të këtij viti mori Moskën. Po rusët e dogjën qytetin dhe pjesa më e madhe e tij u shkatërrua. Pasi priti më kot pesë muaj që rusët të kërkonin paqe, Napoleoni filloi tërheqjen. Por, tashmë ishte vonë. Ushtarët rusë, dimri rus, furnizimi i vështirë e shndërruan tërheqjen e organizuar në anarki. Më pak se 10% e armatës së madhe franceze u kthye në atdhe. Shtetet e tjera evropiane, si Austria dhe Prusia gjetën rastin për t’u çliruar nga pushtimi francez. Ata u bashkuan dhe në betejën e vitit 1813 në Lajpcig, i shkaktuan një disfatë tjetër të rëndë Napoleonit. Pas një viti ai abdikoi dhe u burgos në Elbë, një ishull i vogël në bregun italian. Në vitin 1815 iku nga Elba dhe u kthye në Francë. Aty u prit krahëhapur dhe iu kthye përsëri pushteti. Por, vendet e tjera evropiane nuk pritën që ai të forcohej. Njëqind ditë pas kthimit në pushtet, pësoi disfatën e fundit në Vaterlo. Pas Vaterlosë, anglezët e internuan Napoleonin në ishullin e Shën Elenës, ku edhe vdiq nga kanceri në vitin 1821. Përvoja ushtarake e Napoleonit është paradoks i pabesueshëm. Në vështrimin taktik, gjenialiteti i tij është i çuditshëm. Për deri sa e vlerësojmë vetëm në këtë fushë, mund të themi se ishte udhëheqësi më i madh ushtarak i të gjitha kohërave. Por, në strategjinë e tij të madhe, ai ka bërë gabime të palejueshme, si pushtimet në Egjipt dhe Rusi. Gabimet e tij strategjike janë aq të rënda, sa që në asnjë mënyrë nuk mund të renditet në radhët e para të udhëheqësve ushtarakë. Mos vallë ky është vlerësim jo i saktë? Na duket se jo. Një nga kriteret për vlerësimin e një udhëheqësi ushtarak të caktuar, është aftësia e tij për t’iu shmangur gabimeve që ka bërë. Ishte shumë e vështirë të vlerësoheshin udhëheqës të tillë ushtarakë, si:Aleksandri i Madh, Çengis Khani dhe Timur Lengu, ushtritë e të cilëve asnjëherë nuk pësuan humbje. Duke e parë Napoleonin si fitimtar, vemë rë se pushtimet e tij nuk ishin të qëndrueshme. Pas humbjes së tij të fundit, Franca mbante më pak territore nën kontroll se në vitin 1789, kur filloi Revolucioni Francez. Kuptohet, Napoleoni ishte egoist dhe maniak. Shpesh krahasohet me Hitlerin, por midis të dyve ekziston një ndryshim thelbësor: Ndërsa Hitleri, në pjesën më të madhe u udhëhoq nga një ideologji mizantrope, Napoleoni ishte thjesh një oportunist ambicioz, që nuk kishte interesa të kryente vrasje masive. në regjimin e Napoleonit nuk ka pasur asgjë të ngjashme me kampet e përqendrimit të nazistëve. Lavdia e madhe e Napoleonit mund të ketë ardhur shumë si rrjedhojë e ndikimit të tij. Në fakt, për një kohë të shkurtër ndikimi i tij ishte shumë i madh, ndoshta edhe më i madh se ai i Aleksandrit të Madh, por më i vogël se ai i Hitlerit. Mendohet se afërsisht 500000 ushtarë francezë kanë humbur jetën gjatë luftërave të Napoleonit, dhe 800000 gjermanë në Luftën e Dytë Botërore. Nga veprimet e Napoleonit humbën jetën shumë më pak njerëz se nga çmenduritë e Hitlerit. Sipas jetëgjatësisë së ndikimit, Napoleoni ndodhet përpara Hitlerit dhe prapa Aleksandrit të Madh. Në reformat administrative të Napoleonit u përfshinë 1/70 e popullsisë botërore. Ato shndërrime duhen parë në perspektivën përkatëse. Në të njëjtën kohë, ato reforma kanë patur një ndikim më të vogël në jetën e njerëzve francezë, se zbulimet e shumta teknike dhe shkencore në dy shekujt e fundit. Shpesh, pohohet se era e Napoleonit krijoi mundësitë që të vërtetohen shndërrimet e nisura me Revolucionin Francez dhe të forcoheshin përfitimet nga mposhtja e borgjezisë. Në vitin 1815, kur u restaurua monarkia, këto shndërrime ishin rrënjosur aq shumë, sa ishte i pamundur kthimi drejt skemave sociale të regjimit të kaluar. Shndërrimet më kryesore ishin kryer para ardhjes së Napoleonit në pushtet. Në vitin 1799 kur ai rimori pushtetin, ishte tepër vonë për kthim prapa. Madje, edhe kundër ambicieve të tij monarkie , Napoleoni, në thelb, ndihmoi në përhapjen e idealeve të Revolucionit Francez në të gjithë Evropën. Krahas kësaj, dhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ai ndikoi shumë në historinë e Amerikës Latine. Pushtimi që bëri në Spanjë e dobësoi kaq shumë këtë të fundit, sa që brenda disa viteve ajo humbi kontrollin qe kishte në kolonitë e veta në Amerikën Latine. Pikërisht, në atë kohë lindën shtetet e pavarura latino-amerikane. Por, mbi të gjitha veprimtaritë e Napoleonit veçohet njëra (edhe pse nuk ishte në planet e tij kryesore), që pati rezultate të rëndësishme dhe të qëndrueshme. Në vitin 1803 u shiti Shteteve të Bashkuara të Amerikës territore shumë të mëdha. Ai mendonte se do ta kishte të vështirë që t’i ruante nga anglezët ato territore në Amerikën e Veriut dhe, veç kësaj, kishte nevojë edhe për para, Shitja e Luizianës, një territor me të vërtetë i madh, i shndërroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një shtet me përmasa pothuajse kontinentale. Është e vështirë të thuhet sot, se si do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa Luizianën. Bëhej fjalë për një territor më të madh se Shtetet e Bashkuara, që fillonte nga Gjiri i Meksikës e deri në kufirin kanadez, me të cilin Shtetet e Bashkuara e dyfishuan sipërfaqen e tyre. Sidoqoftë, SHBA e atëhershme ndryshonte shumë nga Shba e sotme, por mund të mos ishin ajo fuqi e madhe që janë sot. Kuptohet, që Napoleoni nuk është i vetmi faktor për shitjen e Luizianës. Këtu ka luajtur rol edhe pushteti amerikan. Megjithatë, propozimi francez ishte aq interesant sa që çdo shtet tjetër do ta kishte miratuar atë menjëherë, por dihet se vendimi i shitjes së Luizianës nga shteti francez ishte rezultat vetëm i një njeriu, i Napoleon Bonapartit.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Tomas Edison.