“Gjaku që dhuroni do të thotë një shansë për jetë për dikë”

0
107

Nga Dr Jeton Zenuni, transfuziolog

Si pasojë e një urgjence mjekësore, në gusht të vitit të kaluar, Mimoza kishte humbur një sasi të madhe gjaku, duke përfunduar kështu pa vetëdije në sallën e Mjekimit Intenziv Qëndror (MIQ) në QKUK, Prishtinë.

20 doza gjaku dhe disa tjera plazmë ishin kërkuar nga ekipe të tëra kirurgësh dhe stafi i MIQ për të shpëtuar jetën e saj.
Pas disa javësh qëndrimi në sallën e kujdesit intenziv, jeta e saj u shpëtua duke iu falendëruar punës së mrekullueshme të klinicistëve tanë dhe gjakut të dhuruar kaq bujarisht nga dhuruesit e gjakut.

Sot me shëndet të plotë, Mimoza vizitoi Qendrën për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë, për të falendëruar stafin tonë dhe gjithë dhuruesit e gjakut që shpëtuan jetën e saj. Në shenjë mirënjohjeje dhe falendërimi, bashkëshorti i saj Nexhati dhuron gjak çdo 3 muaj. Mimoza thotë se duke iu falendëruar këtyre dhuruesve të gjakut, ajo ia doli që për herë të dytë të përjetojë ndjenjën e të qenurit nënë e dy vajzave të saj.

Askush nuk e kupton vërtet rëndësinë e dhurimit të gjakut, plazmës ose trombociteve – derisa dikush që njihni, të ketë nevojë për to.
Gjaku që dhuroni do të thotë një shansë për jetë për dikë. Një ditë ky mund të jetë ndonjë i afërm, mik, i dashur yni apo vetë ne. Dhurimi i gjaku nuk kushton asgjë, ndërsa shpëton jetë.

(Fotot e fëmijëve janë postuar me lejen dhe pëlqimin e prindërve)