Gjakovë, rrethanat të cilat ndikuan që i akuzuari për vrasje të dënohet me 16 vite burgim

0
231

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 24 qershor të këtij viti, e ka shpallur sërish fajtor të akuzuarin Esat (Safet) Bajrami, për veprat penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, duke e gjykuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) viteve, apo dy vite më pak sesa ishte dënuar herën e parë nga ana e kësaj gjykate.

Drejtësia Sot, njofton se i akuzuari Bajrami me 1 nëntor të vitit 2017, me dashje e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hana, si shkak i një mosmarrëveshje me të cilin kishte pasur i akuzuari Esat Bajrami lidhur me motrën e të ndjerit, e cila është e mitur E.B.

Në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Drejtësia Sot”, thuhej se me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin ndaj të akuzuarit Bajrami, gjykata kishte vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në zgjedhjen e llojit dhe lartësisë së dënimit.

Sipas aktgjykimit të përpiluar nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtar Mentor Bajraktari, thuhej se gjatë matjes së dënimit si rrethana rënduese ndaj të akuzuarit Bajrami, gjykata kishte vlerësuar se i akuzuari veprën penale të vrasjes e kishte kryer me formën më të rëndë të fajit me dashje direkte, motivin për kryerjen e veprës penale që ishte rreth një mosmarrëveshje lidhur me motrën e tij të mitur që i akuzuari kishte pasur kohë më parë me tani të ndjerin.

Rrezikimin dhe dëmtimin e vlerës së mbrojtur, pra i akuzuari me veprimet e tij ka cenuar vlerat me të larta dhe themelore të mbrojtura pra cenuar jetën e njeriut.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese, gjykata kishte vlerësuar rrethanat personale se është i moshës relativisht të re 24 vjeçare, sjelljen e tij gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësore, qëndrim tejet korrekt, pendimin e tij të thellë i cili gjatë shqyrtimit gjyqësor ka shprehë keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe publikisht ju ka kërkuar falje familjes së të ndjerit Arlind Hana, për rastin e ndodhur, si dhe faktin se më parë nuk ka qenë i dënuar.

Andaj bazuar në këto rrethana të dhëna në arsyetimin e aktgjykimit, Drejtësia Sot konsideron se ky dënim i shqiptuar ndaj të akuzuarit Bajrami, ka qenë në proporcion me veprat penale të kryera, parandalimin e të akuzuarit nga kryerja e veprave tjera penale në të ardhmen, ngritjen e moralit si dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 15 maj 2019, e kishte dënuar të akuzuarin Bajrami me 18 vite burgim unik për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 29 gusht 2019, e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Teki Bokshi, duke e kthyer kështu rastin në rivendosje. Sipas Gjykatës së Apelit, dispozitivi i aktgjykimit ka qenë i paqartë, i pakuptueshëm dhe i dhënë në kundërshtim me vetveten dhe me arsyet e paraqitura, dhe se në arsyetim nuk ishin paraqitur faktet vendimtare të cilat gjykata e shkallës së parë kishte konkluduar kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarit./DrejtesiaSot