“Gati për Maqedoninë, duam kualifikimin historik”

Kosova nuk pati rezultate të mira në dy ndeshjet e shatorit në Ligën e Kombeve, duke luajtur fillimisht 1:1 me Moldavinë në Itali për t’u mposhtur më pas nga Greqia me rezultat 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndihmëstrajneri te Kosova, Muharrem Sahiti ka thënë se dy ndeshjet e shtatorit nuk sollën rezultate të mira, por synimi i atyre dy ndeshjeve ishte për ta parë formën dhe sa janë gati për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut.

Të kujtojmë se përballja me Maqedoninë e Veriut në kuadër të gjysmëfinalës së Ligës së Komeve për kualifikim në Kampionatin Evropian, ishte dashur të luhet në mars, por për shkak të situatës me koronavirus, ajo u shty për në tetor.

“Është e vërtet që në mars kishim formë të mirë. Atëherë formë të mirë kishte edhe Maqedonia e Veriut, por ne në atë kohë nuk e kishim as Arbër Zenelin e as Hekuran Kryeziun sot i kemi dhe kjo është përparësi. Mbetet të shihet në muajin tetor forma e tyre, por them se nëse jemi të kompletuar jam optimist për kualifikim, gjithmonë duke e parë energjinë dhe entuziazmin te djemtë tanë. Nuk ka garancion në futboll, por gjasat i kemi për kualifikim”, ka thënë Sahiti në “Rock N Roll Football” në Radio Prishtina.

“Maqedonia nuk është kundërshtar i lehtë. Ne përveç lojtarëve tanë, gjithmonë e përcjellim edhe kundërshtarin dhe formën e lojtarëve të kundërshtarit. Ne bazohemi në diçka para se të japim një vlerësim. Gjithsesi, në futboll nuk ka kundërshtar të lehtë, kjo u dëshmua edhe me Moldavinë e sidomos ndeshjet që janë me kualifikim direkt. Ne po punojmë shumë dhe kemi qenë vazhdimisht në kontakte me lojtarët dhe secili prej tyre e dinë që loja më e rëndësishme është me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë trajneri i Kosovës duke shtuar:

“Lojtarët kanë premtuar që do të japim maksimumin me Maqedoninë dhe ata kur premtojnë edhe e realizojnë. Nëse Gjermanisë, Brazilit e Francës i mungojnë 8 lojtarë titullarë kanë shumë probleme e lere më ne si Kosovë kur na mungojnë tetë lojtarë. Pra nuk kemi prit mrekulli. Krejt çfarë kemi bërë është që ndaj Maqedonisë të jemi maksimum gati”, vlerësoi strategu gjilanas i cili shpreson se në tetor të jenë të gjithë të gatshëm.

“Uroj të mos kemi asnjë lëndim. Deri në këtë moment jemi komplet dhe të gjithë janë gati. Në disa shtete ka filluar kampionati në disa nis javën e ardhshme.

Gjendja shëndetësore e lojtarëve është e mirë, shpresoj të mos ketë lëndime dhe mos të kemi infektime me COVID-19. Lojtarët janë të vetëdijshëm, po kanë kujdes që të jenë me Maqedoninë gati, pasi edhe për lojtarët është historike nëse e kualifikojnë Kosovën. Ne nuk kemi pasur rast më të mirë për t’u kualifikuar pasi vetëm 2 lojë na ndajnë nga evropiani”, tha Sahiti duke folur më pas edhe për Superligën e Kosovës, e cila pritet të nis javën e ardhshme.

“Unë jam i obliguar t’i ndjek ndeshjet e kampionatit të Kosovës dhe kam njohuri. 10 skuadra është sistem i mirë që do të ngritë cilësinë e kampionatit. Do të jetë një kampionat interesant, klubet kanë bërë shumë transfere dhe mbetet të shihet si do t’i menaxhojnë ato. Ata kanë bërë shumë lëvizje dhe ju duhet kohë të përshtaten, gjithsesi nëse janë kualitativë atyre nuk u duhet shumë kohë pasi adaptohen lehtë. Pra nuk pres që gjithë këta që kanë ardhur të jenë titullarë, por besoj se këta do ta bëjnn me interesant kampionatin”, ka përfunduar Muharrem Sahiti.