Fushata “Bëhu zëri im” dhe simboli i kësaj fushate

0
132

Fushata “Bëhu zëri im” u lansua në vitin 2018 me nismën e QKRMT-së në bashkëpunim me Medica Gjakova, me qëllim të ndërgjegjësimit të shoqërisë për dhimbjen, nevojat dhe të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe për të avokuar për mbështetje institucionale për këtë grup tejet të ndjeshëm shoqëror.

Simbol i fushatës është lulja e verdhë Anemonë e cila si bimë që rritet në Kosovë përfaqëson të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe simbolizon brishtësinë por njëkohësisht edhe qëndrueshmërinë e tyre. Petalet e saj mbyllen në kohë stuhie për të mbrojtur lulen, për tu hapur sërish kur kalon stuhia!

Dizajni i simbolit të fushatës është bërë nga artistja e ndjerë Arzana Kraja.

Që nga lansimi i fushatës, lulja Anemonë është bërë imazh i mirënjohur për publikun duke u vënë në pah në secilin event të organizuar nga QKRMT në shërbim të të mbijetuarve. Ajo shumë shpejt është përqafuar nga fytyra publike prej të gjitha fushave duke përfshirë aktivistët për të drejtat e njeriut, përfaqësuesit politikë nga i tërë spektri vendor dhe ata ndërkombëtarë, artistët, përfaqësuesit fetarë dhe prijësit e komuniteteve si dhe nga popullata e gjerë.

Lulja Anemonë tashmë është simbol i vuajtjes, shpresës, dinjitetit dhe kërkesës së të mbijetuarve për drejtësi dhe si e tillë mbledh nën ombrellën e saj të gjitha përpjekjet për rehabilitimin dhe fuqizimin e të mbijetuarve.

Çdo person që bartë këtë simbol tregon mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe përpjekje për avancimin e gjendjes së tyre në shoqëri!