FSK edhe me një aksion humanitar

Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë’’ për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës është aktiviteti i parë humanitar pas zyrtarizimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, përcjell OxygenPress.

Pas Ministrisë së Mbrojtjes,  aktiviteti u zhvillua edhe në Kazermën e Forcave Tokësore “Adem Jashari” në Prishtinë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj, duke parë nga afër mbarëvajtjen e aktivitetit, përgëzoi ushtarakët dhe shërbyesit civilë të FSK-së për gatishmërinë dhe motivimin e tyre për të dhuruar gjak, në të mirë të shëndetit të pacientëve të institucioneve shëndetësore të vendit tone, njofton ministria.

Vetëm gjatë një ditë, në Ministrinë e Mbrojtjes, aksionit i janë përgjigjur mbi 50 dhurues vullnetarë,  ndërsa në ditën tjetër mbi 70 dhurues nga KFT-ja dhe njësive pranshtabore të saj.

Aksioni humanitar për dhurimin e gjakut në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë të Kosovës do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2019.

Ky është aksioni i parë humanitar për dhurimin e gjakut për këtë vit, dhe sipas planifikimit aksioni i dytë pritet të zhvillohet në muajt korrik dhe gusht.

Ushtarakët e FSK-së, përveç në aksione çdo herë kanë shprehur  gatishmërinë që t’iu përgjigjen kërkesave edhe në periudha të tjera të vitit./OxygenPress.info