FSK dhe ekspertë amerikanë me operacion të përbashkët

0
67

Specialistët e Ekipeve për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera Eksplozive(EOD) të Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bashkëpunim me specialistët e Ekipit të EOD-së, nga kampi amerikan ,”Bondsteel’’, kanë realizuar një operacion të përbashkët për shkatërrimin e mjeteve eksplozive të cilat janë gjetur nga ekipet e EOD-së, në rajone të ndryshme të Kosovës, përcjell OxygenPress.

Në këtë operacion janë demoluar 16 mjete të kalibrave të ndryshëm të cilat kanë qenë rrezik permanent për jetën e qytetarëve.

Demolimet janë realizuar në fshatin Halilaq, të organizuar në dy cikle. Operacioni i demolimit ka shkuar sipas planifikimit dhe është realizuar me sukses, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezent ishte edhe komandanti i kampit ,”Bondsteel’’, koloneli Macaraeg, koordinatori për Deminim nga ,,Film City’’,  A. Cipri,  zëvendës komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile nënkolonel Bajram Bekteshi, si dhe komandanti i Kompanisë së Deminimit, major Gëzim Sada./OxygenPress.info