Frymo thellë, përcill vetëm dashuri dhe artikulo mirënjohje me fjalët që nxjerr nga goja..

0
140

Nga Klodi Smajlaj

Sa karantina mund të të duhen, për ta nisur atë rrugëtimin e gjatë brenda vetes tënde?

Sa shkundje do të duhet të përjetosh akoma, për të marrë në dorë jetën tënde, në vend që të fajësosh të tjerët, të ankohesh apo të merresh me llafe të kota, siç ke bërë deri më tash?

Deri kur do të arratisesh nga vetja?

Kudo që të shkosh, sado njerëz të takosh e çfarëdo që të bësh për t’u hutuar, dije se hijet që ke brenda vetes, nuk do të të ndahen.

Nëse mërzitesh, acarohesh a e humbet ekuilibrin kur nuk ke me çfarë të merresh, kjo tregon se nuk je i lidhur me burimin brenda teje. Ai burim nuk ta kursen dritën për asnjë çast. Kur je i lidhur me atë burim, je në gjendje që të rrish vetëm, në heshtje, pa bërë asgjë, e mos të të kapë paniku nga vetmia.

Bëji gjërat e tua me terezi, pa ndjerë nevojën e ngutjes.

Ha, duke qenë falënderues për çdo kafshatë që përtyp.

Frymo thellë, përcill vetëm dashuri dhe artikulo mirënjohje me fjalët që nxjerr nga goja.

Mos e privo zemrën nga shijimi i çastit në të cilin ajo rreh. Mos i përdor të tjerët, ushqimin apo gjithçka tjetër, si një mjet arratisjeje nga dhimbjet që duhet t’i shërosh vetë.

Për një herë të vetme, vendose qenien tënde në karantinë tërësisht. Jo vetëm trupin, por krejt përbindëshat e brendshëm që ke ushqyer gjatë gjithë kësaj kohe.