FORCIMI I IMUNITETIT – Një prej arsyeve përse fëmijët duhet të luajnë jashtë edhe në dimër

0
238

Loja në ajër të pastër ka përfitime të shumta për fëmijën tuaj.

Në vendet skandinave, fëmijët janë më të qëndrueshëm, më të vëmendshëm dhe me aftësi motorike më të mira, si dhe përgjithësisht më të shëndetshëm se bashkëmoshatarët e tyre gjetiu. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se loja në natyrë është e shëndetshme edhe në dimër.

Për fëmijët, në veçanti, dalja jashtë është thelbësore që ata të zhvillojnë një sistem të fortë imunitar, pasi bien në kontakt me bakteret në një mjedis natyror, dhe sa më shumë kohë që kalojnë jashtë, aq më të vogla janë gjasat që të zhvillojnë sëmundje autoimune dhe alergji në të ardhmen.

Një tjetër mit i krijuar tek ne, është edhe përshtypja e krijuar se ekspozimi ndaj të ftohtit mund të shkaktojë ftohje tek fëmijët. Në fakt, nëse vishet si duhet, ajri i pastër është i shëndetshëm për të gjithë, përfshirë fëmijët, edhe gjatë dimrit. Kur njerëzit kalojnë shumë kohë në ambiente të mbyllura, veçanërisht kur ajri është tepër i nxehtë dhe hapësira është dobët e ajrosur, mikrobet riciklohen dhe kalohen lehtësisht nga një person tek tjetri. Kjo është arsyeja pse loja në natyrë është thelbësore! Jo vetëm që u mundëson fëmijëve të thithin ajër të pastër dhe të zvogëlojnë përhapjen e infeksionit, por gjithashtu freskon mendjen, u mundëson atyre të djegin kalori dhe krijon tek ta një kuptim pozitiv për ushtrimet gjatë gjithë vitit, gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre.

#PoliklinikaNatal