Fondacioni Kosovar i Mijëvjeçarit po mbështet IHMK-në në ridizajnimin e rrjetit për monitorimin e cilësisë se ajrit

Ka filluar implementimi i aktiviteteve të ridizajnimit të rrjetit për monitorimin e cilësisë se ajrit.

Këto aktivitete kanë rrjedhë nga procesi i rishikimit të rrjetit aktual nacional të monitorimit, njofton Agjencia për Mbrotjen e Mjedisit në Kosovë.

Në kuadër procesit të rishikimit të rrjetit aktual për monitorimin e cilësisë së ajrit, grupi i eksperteve nga MMPH/AMMK ka nxjerrë rekomandimin se duhet të dislokohen stacionet e vendosura në Drenas, Prizren dhe Gjilan. Kjo për shkak të ndryshimit të kushteve dhe humbjes së kritereve të kërkuara për monitorim në lokacionet në afërsi të stacionit në Prizren dhe Drenas si pasojë e ndërtimeve urbane.

Ndërsa në rastin e stacionit në Gjilan është rekomanduar që të bëhet dislokimi pas një periudhe të gjatë monitorimi në zonën e trafikut urban dhe është propozuar të monitorohet zona urbane rezidenciale, përcjell OxygenPress.

Në realizimin e dislokimit të stacioneve, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës si organ menaxhues i rrjetit të monitorimit ka marrë mbështetje financiare nga Fondacioni Kosovar i Mijëvjeçarit (MFK).

Këto ditë është finalizuar procesi i dislokimit të stacionit në Drenas pasi që paraprakisht është bërë ndërtimi i infrastrukturës përkatëse të stacionit.

Në kuadër të këtij procesi është bërë edhe vendosja e rrethojës mbrojtëse në stacionin e monitorimit në Mitrovicë.

Në ditët në vazhdim do të realizohet edhe dislokimi i dy stacioneve tjera monitoruese në Prizren dhe Gjilan./OxygenPress.info