Flet Shukri Buja, tregon kush bëri marrëveshje për listat e veteranëve

0
171

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, ka thënë se partitë politike në Kosovë, kishin marrëveshje rreth numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai ka thënë se për këtë do të ofrojë dëshmi, gjatë procesit gjyqësor të rastit të njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ai po akuzohet së bashku me ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputetin Shkumbin Demalijaj, si dhe tetë persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, Shukri Buja ka thënë se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, është përballur me presione të vazhdueshme politike dhe të opinionit publik.

“Komisioni ka qenë para vendimeve dhe presioneve politike dhe atyre nga opinioni për të dal me lista për veteranë. Për të vërtetuar këtë, do të propozojë dëshmitarë, të cilët do të vërtetojë se ka pas marrëveshje mes subjekteve politike dhe do të jenë udhëheqësit e subjekteve politike që kanë bo marrëveshje. Do të ofrojnë dëshmi mbi presionin në Komision nga opinioni publik”, deklaroi Buja.

Ai ka thënë se pafajësinë e tij do ta argumentojë përmes dëshmive dhe dëshmitarëve, të cilët do t’i propozojë nga MPMS-ja, për të cilët tha se këtu në mënyrë paushalle janë duke përkrahur prokurorin.

Buja tha se do të vërtetojë se Komisioni pjesë e të cilit kishte qenë, nuk ka marr137 ndonjë vendim për dhënien e pensioneve, por këtë sipas tij, e kishte bërë një organ tjetër.

Po ashtu, Buja tha se dëshmitarët që do t’i propozojë do të vërtetojnë se para se t’i nënshkruante ai listat e veteranëve të zonës së Nerodimes, e njëjta listë ishte nënshkruar nga së paku tre eprorë tjerë përgjegjës.

“Do të vërtetojë përmes dëshmitarëve se lista e veteranëve në nivel shtetëror nuk është aprovuar nga Komisioni, por jemi pajtuar që secili të nënshkruaj dhe marr përgjegjësinë për zonën e caktuar për cilën edhe është emëruar anëtari i Komisionit. Unë nga kjo gjykatë do të kërkoj ekspertë juridiko-ushtarak, qoftë edhe ndërkombëtar të cilët do të verifikojnë se cili është mbështetësi juridik, mjekësor apo tjerë, dhe cili mund të jetë pjesëtar i strukturës. Aktakuza është e pabazë sepse akuzohem për dëmtim të buxhetit dhe ka emra e mbiemra për të cilët asnjë organ shtetëror qoftë gjykata apo ndonjë komision shtetëror të ketë marr ndonjë veprim se ata nuk janë veteranë luftëtarë”, tha në fund të fjalës së tij hyrëse, i akuzuari Buja.

Ndërsa, si aktakuzë politike, e ka cilësuar mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Gafurr Elshani.