Flaka Ramadani nga Ferizaji rrit flokët e saj për t’i dhuruar për parukat e fëmijëve me sëmundje

0
103

Flaka Ramadani është një vajzë 22 vjeçare nga Komuna e Ferizajt, e cila dy herë rradhazi ka rritur flokët e saj me një qëllim të vetëm, t’i dhurojë për parukat e pacientëve me kancer, të cilëve pas terapive të rënda që marrin u bien flokët.

Ajo këtë gjë e bën me shumë dëshirë, dhe shkurtimi i flokëve aspak nuk e zbeh bukurinë e saj, e cila në fakt i buron nga zemra, e që me këto vepra te njeriu dallohet shumë lehtë.
Flaka ka rrëfyer këtë eksperiencë siç thotë edhe vetë ajo shumë të bukur, edhe pse brenda vetes ndihet keq për shëndetin e këtyre personave, por kaq mund të bëj për ta dhe atë e bën me shumë qejf e vullnet.

“Flokët kam filluar t’i rrisë gjatë kohës sa isha në shkollë të mesme, do të thotë rreth vitit 2014 kur qe organizuar një ngjarje për dhurimin e flokëve për fëmijët në lu ftë me kan cerin. Atëherë nuk e kisha gjatësinë e nevojshme dhe nuk mund t’i dhuroja, dhe që nga ajo kohë vendosa t’i rrisë dhe të jap kontributin tim edhe unë”, thotë Flaka për Metron.

Që nga viti 2014 deri në vitin 2019 ajo nuk i kishte prerë flokët më, derisa gjatësia e tyre kishte arritur në 50 cm, edhe pse për t’i dorëzuar për pacientët me kan ceri mjaftonte gjatësia e flokëve vetëm 30 cm.

22 vjeçarja nga Ferizaj thotë se rritja e flokëve në një gjatësi më të madhe se sa ishte mësuar t’i mbante kishte edhe sfidat e veta, pasiqë herë pas here i dhimbtte koka për shkak të peshës së tyre, mirëpo qëllimi ishte i qartë andaj edhe kjo dhimbje durohej.

“Gjatë kohës që i kam mbajt flokët e gjata ka pasur edhe situata të sikletshme, sepse flokët e shëndetshme edhe peshojnë relativisht shumë, e kjo nganjëherë më ka shkaktuar dhimbje koke, të cilën e kam duruar duke pasë gjithmonë parasysh qëllimin”, thotë Flaka ndërkohë që thekson se është ndjerë shumë mirë saherë është marrë me flokët duket i larë e duke i tharë me kujdes, duke e ditur fundin e tyre.

Ajo që e kishte shtyrë Flakën të bëj këtë gjest qe një reportazh që kishte parë në një televizion vendor, ku shoqata”Renesanca” që ndihmon gratë me kancer në Prizren, bënte paruka për këta pacientë. Ajo njëherë i ka dorëzuar flokët në këtë shoqatë, ndërsa flokët që ka rritur për herë të dytë akoma i ka në shtëpi, për shkak se nuk ka mundur t’i dorëzojë për shkak të situatës pandemike në të cilën ndodhemi, por që do ta bëj përsëri është e bindur.

“Herën e parë i kam dorëzuar në shoqatën e grave në luftë me kancerin “Renesanca” në Prizren. Për këtë shoqatë jam informuar në një reportazh televiziv. Procedura e dorëzimit ka qenë shumë e thjeshtë, vetëm kam kontaktuar me drejtoreshën dhe jemi takuar në Prizren ku edhe e kam bërë dorëzimin e flokëve”, vazhdon Flaka rrëfimin e saj.

Dhurimi i flokëve për të ka qenë ndër emocionet më të mira që ka përjetuar, duke qenë se siç shprehet ajo “ky veprim do ta bëj të buzëqeshë dikë që po lufton për jetën”.

Flaka Ramadani, thotë se është paragjykuar për stilin e ri të dukjes së saj, me flokë të shkurta, mirëpo kjo nuk i bën aspak përshtypje, sepse e bën me dëshirën më të madhe.

“Flokët e mia janë të shkurta tani! Kur njerëzit e kanë pa veprimin tim shumë me kanë gjykuar se gjoja flokët i kam pasë shumë të mira e nuk është dashtë t’i presë. Po ky koment nuk më ka bërë të pendohem aspak për nismën time, përkundrazoi më ka bërë të gëzohem që paskam pasur flokë kaq të mirë për t’i dhuruar për pacientët me kancer”, përfundon rrëfimin e saj për Metron Flaka.
Flaka Ramadani është 22 vjeçe, është studente e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Universitetin e Prishtinës dhe njëkohësisht është mësuese e gjermanishtës në një kurs në kryeqytet./KultPlus.com