‘’Flaka e Janarit” është vlerë nacionale

0
34

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës së sotme në Gjilan, në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri i cili e ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë komunës së Gjilanit.

Pas takimit, kryeministri Hoti e ka falënderuar kryetarin Haziri për ftesën për të qenë bashkë në kuadër të manifestimeve të “Flakës së Janarit”, që është bërë brend i kësaj komune dhe është vlerë nacionale që përcillet me interes në mbarë Kosovën.

“Ne jemi munduar si Qeveri me resurset që kemi, të mbështesim projekte në të gjithë sektorët, në të gjitha komunat pa përjashtim, por rezultatet që keni arritur në disa prej projekteve në veçanti, janë falë punës suaj, mënyra se si e menaxhoni këtë komunë me një devotshmëri dhe qasje integruese për mbarë regjionin”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti dha më shumë hollësi rreth Zyrës për Luginën e Preshevës e cila do të funksionoj në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Tanimë e kemi hartuar edhe një plan pune dhe janë shtri obligimet e të gjitha ministrive, institucioneve, për të mbështetur Luginën e Preshevës në arsim, shëndetësi, ekonomi, kulturë, rini e sport dhe në të gjitha aktivitetet pa përjashtim, për ta bërë atë pjesë organike të jetës kulturore, ekonomike dhe shpirtërore të mbarë Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Sivjet është edicioni i 30 i manifestimit tashmë tradicional “Flaka e Janarit”, që përbën trashëgiminë shpirtërore dhe shpreh respektin për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe të gjithë që kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.