Fjalimi i Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës

0
99

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

I nderuar kryeministër Kurti!

Të nderuar Ish presidentë, ish-kryeministra dhe Ish-kryetarë të Kuvendit që sot jeni me ne!

Të nderuar ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuara familje Rugova, Jashari, familje të të pagjeturve, familjarë të heronjve, të policëve të rënë në detyrë, veteranë të luftës…

Të nderuar përfaqësues të vendeve mike, të akredituar në vendin tonë!

Të nderuar komandantë të FSK-së e të Policisë së Kosovës,

Përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë, myftiu Ternava, imzot Dodë Gjergji

Të dashur artistë, sportistë, përfaqësues të bizneseve, të shpirtit kreativ të Kosovës;

Të nderuar përfaqësues të medieve;

Të dashur fëmijë të Republikës;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

 

 

Ndjehem tepër e lumtur që sot, në këtë ditë solemne, gjendem para jush dhe që më është dhënë mundësia e jashtëzakonshme që, nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës, t’jua përcjell urimet më të mira me rastin e ditëlindjes së12-tëtë shtetit tonë të dashur, Republikës së Kosovës.

Sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha të njerëzve valëviten gjithandej nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës. Qytetarë të mirë të këtij vendi ia urojnë njëri-tjetrit përvjetorin dhe luten për Republikën e tyre. Ky është përkushtimi i qindra mijëra të rinjve të cilët janë të vendosur që ta realizojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, ta rrisin e ta zbukurojnë atë, me besim të pathyer në të ardhmen.

 

Të dashur qytetarë të Republikës!

Sot, Republika jonë është 12-vjeçe. Ajo e ka afërsisht moshën e këtyre 12 fëmijëve, fëmijëve të pavarësisë, të cilët i shihni këtu dhe të cilët ju ftoj t’i nderojmë. Ata kanë lindur me shtetin dhe janë rritur krahas shtetit, të cilin po e ndërtojmë përditë e ngapak, duke u siguruar që Kosova të jetë strehë e sigurt dhe vend ku këta fëmijë do ta jetojnë të tashmen dhe ta ndërtojmë të ardhmen e tyre. Këta fëmijë, sot ndoshta nuk mund ta kuptojnë plotësisht peshën e vendimeve dhe të veprimeve tona politike, por nesër do të mund t`i gjykojnë ato. Brezat e ardhshëm, fëmijët tanë, nuk do të pyesin se cilës parti i kemi takuar, por do të duan ta dinë se cili ishte ko ntributi ynë në bërjen për shtetin. Është përgjegjësi e jona, prandaj, të punojmë me vullnet e përkushtim që atyre t’ua lëmë një Kosovë më të mirë!

Sot Kosova jonë jo vetëm frymon e lirë, por është vend që po e krijon imazhin e ri, duke i ofruar botës vlera të shquara në arte, në kulturë, në sport e në fusha të tjera. Xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, bashkë me trajnerin e tyre, Toni Kukën, e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale, deri në olimpiadën e Brazilit, duke e lartësuar flamurin e Kosovës aty ku nuk ishte e mundur më herët. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të buzëqeshim nga lumturia. Ju lus që me duartrokitje t’ua kthejmë nderin që ato ia kanë bërë shtetit të tyre.

Krahas tyre, djelmoshat e kombëtares së Kosovës i kanë ngrohur zemrat tona, por e kanë forcuar edhe identitetin tonë në botë. U duartrokasim fort nga ky tempull dhe i ftojmë të qëndrojnë fort pas nderit që ua jep flamuri i shtetit të tyre.

Artistët janë vlera shpirtërore që ne po na bën të njohur në botë. Nga këngëtaret DuaLipa e Rita Orate tenori Ramë Lahaj e artistja Arta Dobroshi, secili më shumë se tjetri kanë ndikuar që shteti i Kosovës të njihet e të duhet edhe nga popujt e tjerë gjithandej botës. Sot ne e nderojmë veprën e tyre, duke i pasur këtu dy nga ta: Ramën dhe Artën.

Shpirti ndërmarrës e inovativ i këtij populli është shtrirë gjithandej botës. Ai dëshmon cdo ditë se vlerat e rinisë sonë janë të qëndrueshme dhe se vështirësitë nëpër të cilën ka kaluar vendi nuk e kanë shuar etjen për dije. Sot, ne kemi këtu edhe një përfaqësues këtij shpirti ndërmarrës: Mërgim Cahani

Ky shpirt inovativ është shpirti i qytetarit të Republikës, është karakteri i fortë nga i cili priren të rinjtë tanë, vajza e djem punëtorë. Sot këtu e kemi përfaqësuesen e këtij shpirti, Jeta Zagraxha, e cila përfaqëson kreativitetin e mijëra vajzave dhe grave të Kosovës, të cilat po shpërthejnë në botën e teknologjive të reja dhe inovacionit.

Sukseset e studentëve tanë në botë, të cilët në gara ndërkombëtarë lanë pas qindra universitete prestigjioze në botë, na kanë dhënë shpresën se ky vend njëmend mund të bëhet e të shkëlqejë, ashtu siç shkëlqeu ekipi i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, përfaqësuesin e të cilëve, Levik Rashiti, e kemi sot mes nesh. Ai na e shpërfaq imazhin e mijëra studentëve, të cilët janë të etur për dije dhe duan që vendin ta ndërtojnë me dije e urti.

Zonja e zotërinj!

Këta përfaqësues janë imazhi i  sotëm i Kosovës sonë. Ai na bën ta ndjehemi krenarë për të sotmen dhe shpresëplotë për të ardhmen. Veçse, ky imazh është i skalitur mbi sakrificën e dhimbjen: këtë e kanë ndjerë mbi shpatullat e tyre fëmijët e policëve dhe ushtarëve të rënë në detyrë. I jemi përjetë mirënjohës veprës së policëve Enver Zymberi, Izet Demaj, Sami Thaci, fëmijët e të cilëve sot i kemi të pranishëm. Sot e nderojmë veprën e tyre dhe të shumë policëve të tjerë të rënë në detyrë.

Oficerët tanë të Ministrisë së Mbrojtjes, me flamurin e Kosovës në krah, sot trajnojnë oficerët ndërkombëtarë të disa prej akademive më prestigjioze në botë, përfshirë atë në Sandhurst e Newest Point, duke lartësuar kështu secilin luftëtar të lirisë që luftoi për këtë vend.

Më lejoni, prandaj,  që në këtë ditë të veçante për qytetarët dhe institucionet tona, t’ju ftoj që së bashku t’i kujtojmë bijat e bijtë e këtij vendi, të cilët, të bindur fort se liria është e arritshme, nuk reshtën së punuari për dhejtëvjetësha të tërë për ta jetësuar Republikën tonë; t’i kujtojmë me mallë e respekt gjithë brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë e tij; ta kujtojmë para së gjithash ideatorin e projektuesin e pavarësisë së vendit, arkitektin e shtetit të Kosovës, atin themelues, dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human; t’i kujtojmë po kështu heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila u sakrifikua për lirinë e vendit, të gjithë dëshmorët e heronjtë, të pagjeturit, martirët e shumtë, përfshirë gra, fëmijë e pleq, si dhe gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; ta nderojmë gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë, aktin themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e Republikës së Parë, atë të Kaçanikut; si dhe gratë dhe burrat e këtij kuvendi, të cilët në këtë ditë të vitit 2008 e deklaruan botërisht vullnetin tonë për të jetuar të pavarur, duke e shpallur shtetin më të ri europian, dhe neve europianët e vjetër, na rikthyen në shtetarët e rinj.

Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit. Ne sot i lusim ata të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për jetësim të vullnetit të qytetarëve tanë, për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë dhe për prosperim të përgjithshëm të vendit.

U jemi mirënjohës vendeve dhe popujve europianë, me të cilët ne i ndajmë të njëjtat hapësira gjeografike, por edhe të njëjtat vlera. Në veçanti u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit të lirë amerikan, me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme dhe të përhershme.

 

Të dashur qytetarë!

Historia e hershme dhe e re e Kosovës është histori e përpjekjeve për të dëshmuar se qytetarët e këtij vendi e kanë përqafuar në vazhdimësi idenë e lirisë. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ajo ishte hapi vendimtar në konsolidimin e raporteve mes popujve në Ballkan, të cilët duan të jetojnë të lirë, të mosvarmë dhe në paqe me njëri-tjetrin.

Si kryetare e institucionit më të lartë përfaqësues, si e para grua në këtë detyrë, unë shpreh mirënjohjen time ndaj politikanëve të vendit, të cilët po e ndërtojnë ngadalë kulturën politike të bashkëpunimit e të tolerancës, të mirëkuptimit me njëri-tjetrin dhe të përkushtimit ndaj shtetit të tyre.

Kuvendi është institucion përfaqësues i vullnetit të qytetarëve të Republikës dhe, rrjedhimisht, edhe i vullnetit të tyre për zhvillim e mirëqenie. Shumëkush mund të mos besojë në përkushtimin tonë për ta shndërruar vendin në partner të fuqishëm ndërkombëtar dhe në vend me të cilin bijtë e bijat tona do të ndjehen krenarë, por unë jam thellësisht e bindur në këtë synim. Përfaqësuesit tuaj në këtë dhomë e kanë këtë besim. Ata janë të përzgjedhurit tuaj të cilët do të kujdesen që vullneti juaj të realizohet, që Kosova të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet mes nesh në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Ne jemi shtet europian, qytetarë të botës, pjesë e diversitetit kulturor perëndimor, ne jemi europianët e rinj, përplot vullnet e dëshirë për zhvillim.

Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë. Ne çdo ditë takojmë qytetarët tanë dhe e shohim që ata janë të ndryshëm, por i kanë të njëjtat ëndrra. Para vitit 1999 ëndërronin një Kosovë të lirë. Sot, ëndrrat e tyre janë të lidhura për zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social e kulturor; për qeverisje efektive dhe transparente. Së bashku me institucionet e vendit, këto dëshira të tyre t’i përmbushim, duke siguruar arsimim cilësor për të rinjtë tanë e krijim të mundësive për zhvillim.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të vendit tim!

Sot Kosova është e vendosur që të integrohet në bashkësinë e popujve të qytetëruar evropianë, dhe të shndërrohet në epiqendër të stabilitetit në rajon. Ne kemi dëshmuar tradicionalisht kulturë të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë. Këto janë vlerat kulturore tonat, të cilat do të vazhdojmë t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë edhe më tutje. Por, në të njëjtën kohë ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim e demokratizim. Prandaj, sot na duhet një patriotizëm konstitucional, duke u përpjekur maksimalisht që referencë e jona e çdoditshme të jetë Kushtetuta, ligjet dhe respekti ndaj tyre. Ndaj , është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjithëve për një shtet stabil, të zhvilluar ekonomikisht, të lidhur me botën dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në të.

Kosova është mbi të gjitha!

Sot në 12-vjetorin e pavarësisë duhet zotohemi se çdo ditë do të përpiqemi që ta forcojmë shtetin, sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetë me dinjitet për të gjithë. Duhet të zotohemi sërish se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës sonë, të sigurojmë pacenueshmërinë e integritetit territorial e sovranitetit të vendit dhe që jo vetëm fjalët tona por edhe veprat tona të dëshmojnë se 17 shkurti 2008 është i pakthyeshëm dhe se Republika e Kosovës është e përhershme.

Kosova nuk ka alternativë, atë duhet ta bëjmë gjithnjë e më e fortë, sepse është mëmëdheu ynë i vetëm!

Urime 12-vjetorin, shteti ynë!

Zoti i bekoftë familjet tuaja!

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!​