Fizibiliteti, një nga arsyet e shkarkimit të Basri Sejdiut nga Bordi Drejtues i SHSKUK-së

0
171

Bordi i SHSKUK-së ka shkarkuar dje drejtorin e përgjithshëm Basri Sejdiu, me disa arsyetime të cilat lidhen me gjetjet e auditorit të brendshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Si arsye e parë përmendet vendimi i Gjyqit të Nderit të Odës së Mjekëve të Kosovës për falsifikimin e faksimilit të kardiologut. Tutje në vendim përmenden raportet financiare për vitet 2018 dhe 2019 për SHSKUK-në, nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.

Poashtu edhe raportet e auditorit të brendshëm për shpenzimet e SHSKUK-së, për menaxhimin e automjeteve zyrtare, si dhe për të hyrat vetanake. Një prej arsyeve të shkarkimit janë edhe kompensimet dhe shtesat e paguara për punëtorët e administratës në QKUK dhe spitale të përgjithshme. Kujtojmë se një prej skandaleve gjatë menaxhimit të Sejdiut kanë qenë shtesat për punonjësit e administratës të cilët kishin marr paga deri në 1 mijë e 400 euro në emër të honorarit.

Një prej arsyeve të shkarkimi është edhe tenderi për fizibilitet i realizuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së gjatë kohës së Sejdiut. Për këtë tender pati raportuar vazhdimisht Gazeta Shneta. SHSKUK kishte iniciuar fizibilitetin pa njësi kërkuese me një kontratë 100 mijë euro për një grup të kompanive që lidheshin me politikan në Shqipëri dhe Kosovë.

Raporti i fizibilitetit ishte kritikuar nga menaxherët e kontratave se ky studim nuk kishte nxjerr asgjë më shumë sesa raportet vjetore të njësive, ndërsa kishte rekomanduar mundësinë për dhënie me koncesion për kompani të huaja.

Në vendimin për shkarkim përmenden edhe çështje të tjera sikurse janë transferimet e jashtëligjshme nga regjionet në qendër, emërime në pozita udhëheqëse të personave në moshë të re 23 dhe 26 vjeçar, raporti i auditimit të brendshëm për shpenzimin e filmave në Klinikën e Radiologjisë, etj.

Poashtu një prej arsyeve është edhe organogrami i miratuar jashtëligjshëm nga SHSKUK, nga ku kanë derivuar disa konkurse për pozita të larta udhëheqëse. /Gazeta Shneta/