Fitoi çmimin Nobel në fushën e fizikës, personaliteti i cili zbuloi radion

0
115

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 38 me rradhë ka Guljem Markoni.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXVIII- Guljem Markoni

(1874-1937)

Zbuluesi i radios, Guljem Markoni, është lindur në vitin 1874 në Bolonja të Italisë. Ai rridhte nga një familje e pasur. Shkollën e kreu me mësues privatë. Në vitin 1894, kur ishte 20 vjeç, mësoi për eksperimentet e kryera disa vjet më parë nga Hajnrih Herc. Eksperimentet e Hercit kishin vërtetuar ekzistencën e valëve elektromagnetike të padukshme, që lëvizin me shpejtësinë e dritës. Duke u ngrohur me këto të dhëna, Markonit menjëherë i lindi ideja, se me ato valë mund të dërgoheshin, pa përcjellës, sinjale në largësi të mëdha, gjë që do të mundësonte vendosjen e lidhjeve të tilla, që më parë as ishte ëndërruar: p.sh.do të mbaheshin lidhje me anijet në mes të detit.

Kështu, në vitin 1895, Markoni arriti të ndërtonte me sukses një aparat të tillë. Një vit më vonë, e paraqiti atë në Angli, ku fitoi edhe patentën. Pas kësaj, themeloi kompaninë, ku në vitin 1898 u emetuan “markonigramat e para”, ose më mirë të themi, u dhanë lajmet e para në radio. Një vit më vonë, përmes kanalit të La Manshit u dhanë sinjalet lajme në rrugë jokabllore. Edhe pse patentën më të rëndësishme e fitoi në vitin 1900, Markoni vazhdoi të punonte duke bërë përmirësime të tjera dhe duke patentuar aparate të tjera. Në vitin 1901, njoftimin në radio e dha përmes Oqeanit Atlantik, nga Anglia në Nju Faundlend.

Rëndësia e zbulimit të Markonit, në mënyrë më të besueshme u duk në vitin 1909, kur gjatë një përplasjeje, anija “Republika”u dëmtua rëndë e filloi të fundosej. Falë radiotelegrafit të zbuluar prej tij, ndihma arriti shpejt dhe, me përjashtim të gjashtë udhëtarëve, të gjithë të tjerët shpëtuan. Po atë vit, Markoni fitoi Çmimin Nobel në fushën e fizikës. Pas një viti, ai lidhi telegrafisht me sukses Irakun me Argjentinën, një largësi mbi 10000 kilometra.

Gjithë këto informacione janë dhënë me pika dhe vija me anë të alfabetit Mors. Që nga viti 1906 dihej, se zëri i njeriut mund të transmetohej përmes valëve të radios. Por, emetimi me anë të radios mori vrull 20 vitet e para të shekullit XX. Pas kësaj, popullariteti dhe rëndësia e Markonit u rritën shumë shpejt. Zbulimi dhe patentat jashtëzakonisht të shtrenjta, nuk mund të kalonin pa procese gjyqësore. Por, në fund të fundit, pas vitit 1914, epërsitë e Markonit u njohën dukshëm. Ai nuk i ndërpreu aktivitetet e tij, por vazhdoi të merrej me studime të rëndësishme në fushën e valëve të shkurtra e ultra të shkurtra.Vdiq në Romë në vitin 1937. Është e qartë, që ndikimi i Markonit lidhet drejtpërdrejt me rëndësinë e radios dhe zbulimeve të mëvonshme. Markoni nuk parashikoi televizorin, por radioja është pararendësi i tij shumë i rëndësishëm, ndaj mendojmë që një pjesë e meritës për zbulimin e televizorit i takon edhe Markonit. Nuk ka dyshim që komunikimet pa tel janë shumë të rëndësishme në botën bashkëkohore. Përmes tyre jepen lajme dhe programe, ato shfrytëzohen për qëllime ushtarake, për kërkime shkencore, në shërbimin policor etj. Edhe pse në ndonjë rast telegrafi (i zbuluar më se gjysmë shekulli më parë) shfrytëzohet ende, radioja shpesh është e pazëvendësueshme. Radioja na mundëson lidhjet me automobilat gjatë lëvizjes, me anijet gjatë lundrimit në det të hapur, me avionët gjatë fluturimit, deri dhe me anijet gjatë fluturimeve kozmike.

Pra, radioja është dukshëm një zbulim më i rëndësishëm se telefoni. Çdo informacion telefonik mund të jepet edhe me anë të radios, ndërsa informacionet me anë të radios mund të jepen edhe në ato vende, që nuk shkelen nga telefoni. E vendosim Markonin në libër më lart se Aleksandër Gream Bell thjesht për atë që lidhja pa tel është një zbulim më i rëndësishëm se telefoni. E vendosim Markonin në libër më lart se Aleksandër Gream Bell thjesht për atë që lidhja pa tel është një zbulim më i rëndësishëm se telefoni. Ndërsa Edisonin e vendsëm pak përpara Markonit për numrin jashtëzakonisht të madh të zbulimeve të tij, megjithëse asnjë nga ato zbulime nuk mund të krahasohen me radion. Por, duke parë që radioja dhe televizioni janë vetëm një pjesë e vogël e realizimit praktik të pikëpamjeve teorike të Majkëll Faradeit dhe Xhejms Maksuellit, mendojmë se është e drejtë që Markoni të vendoset pas tyre. Nga ana tjetër, është e qartë se pak figura politike kanë patur ndikim të tillë në botë sa Markoni dhe prandaj ai e meriton plotësisht këtë vend në libër.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Adolf Hitleri.