FIT: Qytetarët që raportojnë keqpërdorime nuk ndihen të mbrojtur nga institucionet

0
45

Sa je e/i sigurt nëse raporton një parregullsi?

Kush të mbron në rast se ndihesh e/i rrezikuar për shkak të raportimit?

A po zbatohet ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve në Kosovë?

Cilat janë pengesat për zbatimin e tij?

Cila është performanca e institucioneve në këtë drejtim dhe sa janë qytetarët dhe punonjësit të informuar për çështjen e sinjalizuesve?

Përderisa çdo ditë degjojmë politikanët dhe qeveritarët të flasin për luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve, raporti i Qendrës për Studime të Avancuara FIT ka gjetur që qytetarët që raportojnë korrupsionin apo çfarëdo lloj parregullsie nuk janë të mbrojtur nga shteti. Sinjalizuesit, apo qytetarët të cilët raportojnë shkeljet tek institucionet, duhet të mbrohen nga Ligji për Sinjalizues, por një gjë e tillë nuk po ndodhë në realitet. Pavarësisht garancive ligjore, 46% e respondentëve kanë deklaruar se kanë frikë të raportojnë dhe vetëm 25% e tyre besojnë se raportimi mbahet konfidencial.

Për të bërë një vlerësim të saktë rreth kësaj, Qendra për Studime të Avancuara FIT ka publikuar një raport mbi nivelin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në Kosovë. Të gjeturat tregojnë për nivel shumë të ulët të zbatimit të ligjit, njohuri të pakta të qytetarëve lidhur për përmbajtën e tij, dhe se institucionet publike dhe sektori privat nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për zbatimin e ligjit. Ky është një dështim serioz që vë në rrezik sigurinë e sinjalizuesve.

Raporti gjen se 81% e të anketuarve nuk janë të familjarizuar me procedurat e raportimit. Rreth 29.1% e respondentëve kanë deklaruar se në 12 muajt e kaluar kanë vënë re shkelje të ndryshme. Pavarësisht garancive ligjore, 46% e respondentëve kanë deklaruar se kanë frikë të raportojnë dhe vetëm 25% e tyre besojnë se raportimi mbahet konfidencial.

Poashtu, raporti përmban edhe rekomandime konkrete për institucionet e Republikës së Kosovës dhe palët e tjera relevante publike e private që të angazhohen dhe të punojnë më shumë për zbatimin e këtij ligji.