Fiksimi pas fotografive!

0
73

Nga Giuliana Mazzoni:

Vitin e kaluar, vizitova “Hermitage” në Shën Petersburg të Rusisë, një nga muzeumet më të mirë të artit në botë. Prisja të përjetoja seriozisht kryeveprat e tij, por fushëpamja ime u bllokua nga një mur smatfonësh që po i fotografonin pikturat.

Dhe aty ku mund të gjeja një fare hapësire boshe, kishte njerëz që po bënin selfi, për të pasur kujtimet e vizitës së tyre. Për shumë njerëz, bërja e qindra, në mos mijëra fotografive, është një pjesë e rëndësishme e shkuarjes me pushime. Ata dokumentojnë çdo detaj, dhe e postojnë atë në mediat sociale.

Por si ndikon kjo në kujtimet tona aktuale të së kaluarës – dhe si e shohim veten tonë? Si një eksperte e kujtesës, isha kurioze. Mjerisht, hulumtimet psikologjike mbi këtë temë, janë të pamjaftueshme. Por gjithsesi, ne dimë disa gjëra. Ne i përdorim smartfonët dhe teknologjitë e reja si “magazine” të kujtesës.

Dhe kjo nuk është asgjë e re – njerëzit kanë përdorur gjithmonë pajisje të jashtme si ndihmë, kur fitojnë njohuri dhe kur duan të kujtojnë. Shkrimi, i shërben me siguri këtij funksioni. Të dhënat historike, janë kujtime të jashtme kolektive. Dëshmitë e emigracioneve, vendbanimeve ose betejave, ndihmojnë kombe të tëra të gjurmojnë origjinën, të kaluarën dhe një identitet të caktuar.

Në jetën e një individi, ditarët me shkrim i shërbejnë një funksioni të ngjashëm. Sot ne përpiqemi të bëjmë shumë pak për të kujtuar – ne ia besojmë një sasi të madhe ‘icloud’-it. Është gati e padëgjuar të lexohen sot poezi. Edhe ngjarjet më personale, ndodhin në celularët tanë.

Në vend se të kujtojmë atë çfarë konsumuam në dasmën e dikujt, ne kërkojmë thjesht në celularin tonë fotot e ushqimeve që ishin atë ditë mbi tavolinë. Dhe kjo ka pasoja serioze. Bërja e fotove të një ngjarjeje, në vend të zhytjes në të, është dëshmuar se çon në një kujtesë më të dobët të asaj ngjarje.

Ne jemi shumë më të hutuar. Edhe mbështetja tek fotot për të kujtuar, ka një efekt të ngjashëm. Që të funksionojë mirë, kujtesa duhet të ushtrohet rregullisht. Ka shumë studime, që dokumentojnë rëndësinë e praktikës së rikthirrjes së kujtesës – për shembull tek studentët e universitetit.

Kujtesa është dhe do të mbetet thelbësore për të mësuar. Ka në fakt disa prova, që tregojnë se magazinimi i gati të gjitha njohurive dhe kujtimeve në “icloud”, mund të pengojë aftësinë për të kujtuar. Megjithatë, ka edhe një element pozitiv. Edhe nëse disa studime pohojnë se e gjitha kjo na bën më budallenj, ajo që ndodh është se ne ndryshojmë aftësitë, duke kaluar nga të qenit thjesht në gjendje të kujtojmë, tek aftësia për të menaxhuar mënyrën se si kujtojmë më me efikasitet.

Kjo quhet metakonjicion, dhe është një aftësi mbizotëruese thelbësore tek studentët – për shembull kur planifikon se çfarë, dhe si të studiohet. Ekzistojnë gjithashtu prova të konsiderueshme dhe të besueshme se kujtimet e jashtme, përfshirë selfit, mund të ndihmojnë individët që kanë dëmtime të kujtesës.

Por, ndërsa fotot munden në disa raste të ndihmojnë njerëzit të kujtojnë, cilësia e kujtimeve mund të jetë e kufizuar. Mund të kujtojmë se çfarë duket diçka më qartë, por kjo mund të jetë në kurriz të llojeve të tjera të informacionit. Një studim tregoi se ndërsa fotot mund t’i ndihmonin njerëzit t’i mbanin mend ato që kishin parë gjatë një ngjarje, ata reduktonin kujtesën e tyre mbi atë që ishte thënë aty.

Ekzistojnë disa rreziqe mjaft të mëdha, kur është fjala për kujtesën personale. Identiteti ynë, është një produkt i përvojave tona jetësore, të cilat mund të arrihen lehtë përmes kujtimeve tona të së kaluarës. Pra, dokumentacioni i vazhdueshëm fotografik i përvojave të jetës, e ndryshon mënyrën se si ne e shohim veten?

Nuk ka ende prova thelbësore empirike mbi këtë, por unë do të spekuloja se po. Shumë imazhe, ka të ngjarë të na bëjnë ta kujtojmë të kaluarën në një mënyrë të caktuar – duke bllokuar kujtimet e tjera. Ndërsa nuk është e pazakontë që kujtimet e fëmijërisë së hershme të bazohen tek fotografitë, në vend të ngjarjeve reale, ato nuk janë gjithmonë kujtime të vërteta.

Tjetër çështje është fakti, se studimi ka zbuluar mungesën e spontanitetit në selfi, dhe shumë foto të tjera. Ato janë të planifikuara, pozimi nuk është i natyrshëm, dhe herë pas here imazhi i personit është i shtrembëruar. Ato gjithashtu pasqyrojnë një tendencë narcisiste, e cila e imponon fytyrën të bëjë imitime të panatyrshme – buzëqeshje artificialisht të madhe, ndjenja sensuale, fytyra qesharake, apo gjeste fyese.

Më e rëndësishmja, selfit dhe shumë foto të tjera, janë gjithashtu shfaqje publike të qëndrimeve specifike. Me fjalë të tjera, ato nuk pasqyrojnë vërtetë se kush jemi, ato pasqyrojnë atë që ne dëshirojmë t’u tregojmë të tjerëve për momentin. Nëse mbështetemi shumë tek fotot kur kujtojmë të kaluarën tonë, ne mund të krijojmë një identitet të shtrembëruar, të bazuar në imazhin që do donim të promovonim tek të tjerët.“The Conversation”/Bota.al