Isuf Dedushaj tregon kush ishte doktori që sot ndërroi jetë nga COVID-19

0
184

Nga Isuf Dedushaj

– IN MEMORIAM – NË KUJTIM –

Sot, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë, Shëndetësia e populli i Kosovës, Familja, farefisi, miqtë dhe kolegët humbën pedagogun, mjekun humanist, ekspertin e pashoq dhe një personalitet me virtyte të larta profesionale dhe njerëzore.

Prof. dr. SYLEJMAN REXHEPI, MD.PhD. (1953- 2020)

Mjek, internist, reumatolog, doktor i shkencave dhe profesor universitar. Lindi më 6 nëntor 1953 në Ferizaj. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1979. Pas diplomimit, punësohet në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj. Më 1981 fillon specializimin nga Mjekësia Interne në Prishtinë, më pas qëndroi për një muaj në Institutin e Sëmundjeve Kardiovaskulare në Universitetin e Bolonjës dhe specializon në Universitetin e Nishit në vitin 1985. Më 1983 punësohet në Klinikën Interne-njësia e Reumatologjisë në Prishtinë. Më 1985 autorizohet asistent, më 1987 zgjidhet asistent dhe më 1999 docent i lëndës Mjekësia interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1986 regjistron studimet pasdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe më 1991 mbron temën e magjistraturës. Gjatë periudhës 1987-89 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe ka marrë pjesë në organizimin e 6 simpoziumeve për këtë problematikë. Me 1997 dr. Rexhepi e mbron temën e doktoratës me titull: “Veçoritë e artritit reumatoid në pleqëri”. Më 1999 angazhohet në botimin e revistës shkencore për çështje shoqërore, ekonomike dhe tekniko-teknologjike të Kosovës “Dardani sacra”, ku zgjidhet anëtar i Këshillit redaktues dhe njëkohësisht sekretar i revistës. Në vitin 2000 zgjidhet zëvendës shef, ndërsa më 2001 shef i Katedrës së Mjekësisë interne. Në nëntor të vitit 2002 qëndroi në Universitetin e Ependorf të Hamburgut me qëllim të përkrahjes së procesit reformues të arsimit të lartë. Me 28 prill 2003 në Kosovë, organizoi takimin profesional reumatologjik me pjesëmarrje ndërkombëtare. Gjatë periudhës 2002-2003 udhëhoqi studimet pasdiplomike për Reumatologji me rehabilitim fizikal. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Dr Sylejmani arriti të gjithë titujt akademik deri në atë të Profesorit. Dr Rexhepi pa dyshim se ishte themelues i Reumatologjisë bashkëkohore të Kosovës por edhe më gjerë. Është anëtar i komisionit recensues në dy libra universitarë. Ka marrë pjesë në shumë Kongrese, Konferenca e Simpoziume dhe ka publikuar një sërë punimesh shkencore si autor dhe koautor brenda dhe jashtë vendit. Pas pensionimit ai vazhdoi me edukimin e një brezi studentësh edhe në Kolegjin Universitar AAB në Prishtinë si dhe punën profesionale dhe shkencore në Poliklinikën e vet private.
Ai gjatë karrierës së tij edukoi shumë e shumë breza mjekësh, stomatologësh, farmacistësh, fizioterapeut, dhe Infermier dhe me shumë përkushtim ua mësoi mjekësinë dhe artin e mjekimit. Drejtoi me shumë sukses kandidat prej diplomave e deri të tezat e disertacionit.
Prof. Sylejmani, ishte shembull i profesorit të zellshëm me një kulturë të gjerë, ishte figurë e mjekut te përkushtuar, njeriut fisnik dhe parimor, besnik dhe burrë i fjalës, karizmatik e mbi te gjitha ai rrezatonte kudo kulturë te larte prej intelektuali.
Prof. Sylejmani iku para kohe, duke lenë një boshllëk te pazëvendësueshëm për familjen e ngushtë, miqtë, shokët, komunitetin e mjekëve dhe pacientet e tij.
Lamtumirë miku im i mirë, Lavdi punës dhe veprës që ke lënë pas vetes, përjetësisht në kujtimet tona.