Figura më e njohur për zhvillimin e teorisë ekonomike, nuk mendonte termin “mos u ngatërro me shtetin”

0
115

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 30 me rradhë ka Adam Smith.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXX- Adam Smith
(1723-1790)

Adam Smithi, figura më e njohur për zhvillimin e teorisë ekonomike,është lindur në vitin 1723 në qytetin Kerkaldi të Suedisë. Në vitet e rinisë studioi në Universitetin e Oksfordit, ndërsa nga viti 1751 punoi si profesor i filozofisë në Gllazgou. Aty botoi librin e tij të parë “Teoria për ndenjat morale”, me të cilin depërtoi në rrethet intelektuale. Megjithatë, lavdinë kryeosre e arriti falë veprës së tij të madhe “Kërkime për natyrën dhe shkaqet e pasurimit të njerëzve”, botuar në vitin 1776. Libri pati mjaft sukses dhe deri në fund të jetës, Smithi gëzoi popullaritet dhe nderim të madh. Vdiq në Kerkaldi në vitin 1790. Ai mbeti i pamartuar.
Adam Smithi nuk është i pari që është marrë me shkencat ekonomike. Shumë nga idetë e tij më të njohura nuk janë origjinale. Megjithatë, ai është i pari që grumbulloi, përzgjodhi dhe sistemoi me saktësi të kënaqshme teorinë ekonomike, e cila ka shërbyer si bazë për përparimin e mëtejshëm në këtë fushë. Ja pse mund të thuhet se “Pasuria e popujve” është saktësi e dyfishtë për shkencëtarët bashkëkohorë të ekonomisë politike.

Një nga vlerat e mëdha të këtij libri është se ai zbuloi shumë të dhëna të gabuara nga e kaluara: hodhi poshtë teorinë më të vjetër të marketingut (tregtisë), sipas së cilës, më e rëndësishme ishte që shteti të prodhonte sasi të mëdha floriri. Veprën e tij e kundërshtuan fiziokratët, të cilët mendonin se toka është burimi kryesor i vlerave. Në kundërshtim me këtë pikëpamje, Smithi vërtetoi rëndësinë bazë që kishte puna. Veçanërisht, ai u interesua për rritjen e prodhimit, që mund të arrihej me ndarjen e punës. Ai hodhi poshtë gjithë vargun e pikëpamjeve të vjetruara për këtë problem dhe administrimet e kufizuara të prodhimit, të cilët vetëm pengonin zhvillimin e industrisë.

Ideja kryesore te libri “Pasuria e popujve” është se në të parë, tregtia e lirë katotike është mekanizëm vetërregullues, që ekspozon atë mall apo sasi mallrash që janë më të kërkuara dhe më të rëndësishme për shoqërinë. Për shembull, një mall që kërkohet shumë, prodhohet me pakicë. Kjo, në mënyrë të natyrshme sjell rritjen e çmimit të tij, njëkohësisht dhe pasurimin e prodhuesit. Kur prodhimi rritet, pakësohet mungesa e tij dhe për rrjedhim çmimi bie. Shtimi i ofertës së bashku me konkurrencën midis prodhuesve, rregullon vlerën e mallit deri në “çmimin normal”: me fjalë të tjera, ai mall do të vejë deri te vlera e prodhimit. Asnjë prodhues, nuk mendon për kapërcimin e mungesës së mallit me qëllim që të ndihmohet shoqëria. Por, edhe kështu, problemi është i zgjidhur. Sipas fjalëve të Smithit,”çdo njeri kërkon vetëm fitimin vetja”, megjithatë, ai “është drejtuar nga një dorë e padukshme për të arritur qëllimin, që nuk përfshihet në pikësynimet e tij, madje, duke rënduar interesin e tij vetjak, ai shpesh herë mbron në mënyrë më rezultative interesat e shoqërisë se të tijat”. (“Pasuria e popujve”,libri IV,paragrafi II.).

Megjithatë, ”dora e padukshme”, nuk mund ta kryejë punën ashtu si duhet derisa konkurrencës së lirë i vihen pengesa. Ja pse Smithi besonte thellësisht në tregtinë e lirë dhe ishte kundërshtar i vendosur i taksave të larta. Ai ishte kundërshtar i egër ndaj shumë masave që merrte shteti për tregtinë dhe pasurinë e lirë. Ngatërresa të tilla, pohonte ai, i pakësojnë rezultatet ekonomike dhe të shpien deri aty sa që populli t’i paguajë mallrat me çmime më të larta se vlera e tyre e vërtetë. Smithi nuk e kishte menduar termin “mos u ngatërro me shtetin”, megjithatë bëri shumë më tepër nga gjithë ekonomistët e tjerë për forcimin e këtij parimi.
Edhe në qoftë se lind mendimi se Adam Smithi ishte apologu i vetëm i interesave të tregtarëve, kjo është e gabuar. Shumicën e rasteve ai demaskoi hapur praktikën monopoliste në tregti, duke garantuar kapërcimin e saj. Ja një sentencë e tij nga “Pasuria e popujve”.”Njerëzit e të njëjtit profesion rrallë mblidhen midis tyre. Edhe kur mblidhen, bisedat e tyre përqendrohen kundër popullit, ose ndërthuren për rritjen e çmimeve”.

Adam Smithi e organizoi dhe e eskpozoi aq mirë shkencën ekonomike, sa për disa dhjetëvjeçarë u harruan shkollat pararendëse ekonomike. Në të vërtetë, të gjitha anët pozitive të këtyre shkollave u përfshinë në sistemin e Smithit, ku ai logjikisht kishte vënë në dukje të metat e tyre. Pasardhësit e Smithit, midis të cilëve edhe ekonomistët Tomas Maltusi dhe Dejvid Rikard, e përpunuan dhe e përsosën sistemin ekonomik të tij, pa ia ndryshuar parimet themelore, duke e shndërruar në strukturën që sot quhet “ekonomia klasike”. Edhe pse në ekonominë bashkëkohore përfshihen punë të reja, deri në një farë shkalle me nivel të lartë, përsëri ajo është vazhdim i natyrshëm i ekonomisë klasike.

Në “Pasurinë e popujve”, Smithi, deri diku ka prekur pikëpamjet e Maltusit për mbipopullimin. Megjithatë, për deri sa Rikardo dhe Karl Marksi pohonin se rritja e popullsisë nuk do të lejonte që mëditjet e punës të kapërcenin minimumin e domosdoshëm të jetesës, Smithi argumentoi se në kushtet e rritjes së prodhimit është e mundur edhe rritja e mëditjes së punës. Faktet tregojnë se sipas kësaj pikëpamjeje Smithi ka patur të drejtë, ndërsa Rikardo dhe Marksi kishin gabuar.
“Pasuria e popujve” është një libër i shkruar me qartësi dhe përvojë të madhe që pati një publik të gjerë lexuesish. Argumentet e Smithit kundër ndërhyrjes së shtetit në tregti dhe në veprimtaritë tregtare në dobi të taksave të ulëta dhe tregtisë së lirë ndikuan vendosmërisht në politikën ekonomike të shumë shteteve gjatë gjithë shekullit XIX. Ndikimi i tij në këtë fushë ndihet edhe sot.

Teoria ekonomike pas tij përjetoi përparim të madh. Vetëm ndonjë ide e tij është zëvendësuar, prandaj rëndësia e Adam Smithit mund të vlerësohet lehtë. Ai është krijuesi i parë dhe themeluesi i teorisë ekonomike si një sistem shkencor studimor. Ndaj, ai është një figurë e rëndësishme e historisë së mendimit njerëzor.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.
Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Uilliam Shekspir.