Feronikeli bindës, Prishtina mund Llapin

0
94

Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 31-të në IPKO Superligë. Skuadra kryesuese, Feronikeli, ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Dritën, me rezultat 4:1, duke e ruajtur pozitën e parë në renditje edhe pas kësaj jave.

Feronikeli kaloi në epërsi në minutën e 33-të, me golin e shënuar nga Kastriot Rexha.

Epërsinë në 2:0 e shtoi Jean Carioca Da Silva pas vetëm dy minutash lojë në pjesën e dytë. Më pas ishin mysafirët që shënuan kur Filonit Shaqiri shënoi një supergol nga distanca, kur po zhvillohej minuta e 61-të.

Megjithatë, në minutat në vazhdim Feronikeli u tregua më këmbëngulës dhe arriti që të shënojë edhe dy herë, nëpërmjet Kastriot Rexhës (74’) dhe Mendurim Hoti (84’).

Ndërkohë, derbi i kësaj jave u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në praninë e një numri të madh të tifozëve, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, ku në fund fitores iu gëzuan futbollistët e Prishtinës, me rezultat 1:0.

Golin e tri pikëve të mëdha në garën për titull për bardhekaltrit e kryeqytetit e shënoi Mërgim Pefqeli, në minutën e 88-të.

Ndërkaq, ndeshja në Prizren, ndërmjet dy skuadrave që edicionin e ardhshëm do të garojnë në një kategori më poshtë, Lirisë dhe KEK-ut, u mbyll me fitoren e prizrenasve me shifrat 3:1. Golat për Lirinë i shënuan Fatih Karahoda (15’) dhe Liridon Fetahaj (31’, 90’), derisa golin e vetëm për KEK-un e shënoi Rilind Nimani (85’).