Fenomen i rrallë, super-Hëna shfaqet sot

0
55

Super-hëna më spektakolare e vitit 2019 do të mund të shihet sot, duke u shfaqur në qiell më e shndritshme se kurrë.

Ajo që do ta bëjë kaq speciale është fakti që hëna e plotë do të gjendet ekzaktësisht në pikën më të afërt të orbitës së saj me Tokën.

“Është një takim që nuk duhet humbur” ky, sipas astrologëve. Sipas tyre, hëna do të jetë më e shndritshme dhe rreth 7 për qind më e madhe sesa një hënë e plotë normale.

Hëna rrotullohet rreth Tokës në një orbitë në formë ovale, në të cilin çdo muaj arrin një distancë minimale dhe maksimale. Super-hëna ndodh sa herë që hëna e plotë koinçidon me momentin e distancës minimale me Tokën.

Në orën 22:07 minuta të 19 shkurtit, hëna do të gjendet në distancën më të afërt me Tokën, 356.761 kilometra, e asnjëherë tjetër përgjatë të gjithë vitit 2019 nuk do të kemi një hënë të plotë më afër nesh, përcjell Alsat.

Ajo e 19 shkurtit do të jetë super-hëna e dytë e vitit, pas asaj që koinçidoi me eklipsin e natës mes 20 dhe 21 janarit. Premton po ashtu të jetë mbresëlënës edhe takimi i tretë me një super-hënë që nga fillimi i vitit, që do të ndodhë më 21 mars, në koincidencë me ekuinoksin e pranverës.