Fëmijët kanë nevojë për mikrobe

0
402

Vetëm që fëmijëve t’iu parandalojnë ndonjë sëmundje, prindërit janë në gjendje edhe t’iu evitojnë ambientet e jashtme.

E gjithë kjo për të shmangur mikrobet dhe ndotësit e ndryshëm.

Mirëpo a është kjo mënyra e duhur?

Fëmijët kanë nevojë për mikrobe dhe jo për antibiotikë thotë një studim I fundit.

Shkenca po tregon se largimi i mikrobeve me detergjentët, sapunët antibakterialë dhe dozat e antibiotikëve po ndikojnë negativisht në sistemin imunitar të fëmijëve.

Mikrobiologu Brett Finlay së bashku me bahkëpuntoren e tij ligjeruesen në universitetin e Calgaryt Marie-Claire Arrieta , sipas një studimi thonë që fëmijët janë duke u rritur në një mjedis më të pastër dhe më higjenik se kurrë më parë.

Arrieta dhe Brett janë edhe bashkautorë të librit “Let them eat dirt” ku shpjegohet se pse fëmijët duhet të bashkëjetojnë me mikrobet.

Sipas këtij studimi për të zhvilluar një imunitet të fortë, fëmijët duhet të jenë në kontakt me mikrobe të ndryshme në mënyrë që të krijojnë antitrupa dhe një sistem imunitar të fortë.

Duhet t’i lëni të luajnë në ambiente të hapura me ndotës natyrorë, në të kundërtën, ky studim thotë se një ambient  I sterilizuar zhvillon një imunitet të dobët.

E gjithë kjo mund të qoj deri tek obesiteti apo alergjitë e ndryshme.

“Ne jemi të dy mikrobiologë dhe kemi studiuar mikrobet tërë jetën. Në vitet e fundit hulumtimet nga laboratori ynë por edhe laboratorët e tjerë kanë treguar se mikrobet në fillet e jetës janë vendimtare për shëndetin tonë. Nuk është vetëm se ne jemi shkencëtarë, por ne të dy jemi prindër. Menduam që prindërit dhe kujdestarët do të përfitonin vërtet prej nesh, duke e sjellë këtë njohuri tek publiku”- Shprehen të dy në lidhje me arsyet se pse vendosën ta publikojnë librin “Let them eat dirt”.

Sipas tyre marrja e antibiotikëve për kohë të gjatë mund të qoj deri tek rezistenca ndaj antibiotikëve.

Kjo është një gjë shumë negative pasi që në momentet kur me të vërtetë kemi nevojë për antibiotikë, trupi ynë nuk do të reagoj.

Ata thonë që kur lindim, nuk kemi mikrobe dhe sistemi ynë imunitar është i pazhvilluar.

Por, sapo mikrobet të shfaqen, sistemi imunitar fillon të zhvillohet.

Pa praninë e mikrobeve, sistemi imunitar nuk mund t’i luftojë infeksionet si duhet.

Nuk është vetëm prania e këtyre mikrobeve, por ajo që ato prodhojnë.

Sipas tyre ato prodhojnë molekula dhe substanca që lidhen direkt me qelizat thelbësore dhe me qelizat e imunitetit.

Vetëm pas kontaktit me këto substanca mikrobike, një qelizë imune merr informacionin për të bërë atë që duhet të bëjë, pra të luftojë viruset dhe infeksionet e ndryshme.

Hipoteza e higjienës përpiqet të shpjegojë pse alergjitë, obeziteti, sëmundjet e zorrëve, madje edhe autizmi, janë sëmundje në rritje.

Dhe kjo nuk shpjegohet vetëm nga gjenet sepse sipas tyre gjenet tona nuk mund të ndryshojnë aq shpejt.

Hulumtimet po tregojnë vazhdimisht se mungesa e ekspozimit të hershëm ndaj mikrobeve po nxisin rritjen e këtyre sëmundjeve.

Ekspozimi ndaj mikrobeve në fillim të jetës është i nevojshëm për sistemin tonë imunitar që organizmi të funksionoj siç duhet dhe në fund të jetë në gjendje të shmangë zhvillimin e këtyre sëmundjeve.

Studimet kanë treguar gjithashtu se pastrimi i gjithçkaje që shkon në gojën e foshnjës rrit shanset për astmë.

E gjithë kjo tregon për faktin se po jetojmë në mjedise shumë të pastra, deri në një pikë që mund të bëhet e dëmshme për shëndetin tonë.

Higjiena është vendimtare për shëndetin tonë, ne nuk duhet të ndalojmë larjen e duarve, por duhet ta bëjmë atë në një kohë kur është e efektshme në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve, në rastet para se të hamë dhe pas përdorimit të banjës.

Çdo herë tjetër nuk është e nevojshme, pra, nëse fëmija juaj është jashtë në oborrin e shtëpisë duke luajtur, ju nuk keni nevojë ta largoni atë nga papastërtitë.

Sipas këtij studimi nuk ka përfitim nga kjo, duhet të ekzistojë një ekuilibër midis parandalimit të infeksionit, i cili është ende një kërcënim real në shoqëri, por gjithashtu promovon ekspozimin mikrobik që është i shëndetshëm./ Blitz/OxygenPress.info/

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu