FemArt Festival vjen me edicionin e tetë për këtë vit, publikohen datat

0
29

Fesitvali FemArt, tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht, një festival ky me karakter feminist, ka lajmëruar se do të zhvillojë edicionin e tetë i cili do të mbahet në datat 15 deri me 20 tetor të këtij viti, shkruan KultPlus.

FemArti është festival i cili ka arritur që përmes artit të mirë dhe kualitativ të krijuar nga artistet dhe aktivistet të fuqizojë gratë dhe vajzat në njohjen e të drejtave të tyre të plota me qëllim të arritjes së barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, dhe shoqërore.

Moto e festivalit FemArt 2020 është “Solidariteti dhe Qëndrueshmëria”.

Solidariteti si parim i mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Qëndrueshmëria si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.

Koncepti dhe formati i festivalit FemArt këtë edicion ka ndryshuar si rezultat i përballjes me COVID-19. Në solidaritet dhe përkrahje FemArt do të sjellë krijime artistike origjinale nga artistet dhe aktivistet e vendit.

Përgjatë shtatë edicioneve të kaluara FemArt Festival ka sjellur më shumë se 240 aktivitete artistike dhe kulturore si dhe ka mbledhur rreth 25,000 persona në audiencë.