Federata e futbollit i ka bërë të gjitha përgatitjet profesionale për fillimin e edicionit të ri

0
62

Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti Agim Ademi së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu takuan përfaqësuesit e klubeve të Superligës për t’i njoftuar ata për të gjitha parapërgatitjet dhe përgatitjet për edicionin e ri të futbollit. Krerët e FFK-së i njoftuan përfaqësuesit e klubeve në detaje për të gjitha zhvillimet dhe kështu të gjithë njëzëri u dakorduan për shumicën nga to.

Presidenti Agim Ademi i njoftoi përfaqësuesit e klubeve për shtyrjen e kampionatit dhe se është në koordinimin të vazhdueshëm me Ministrinë e Sportit dhe atë të Shëndetësisë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë në futboll.

Gjithashtu presidenti Ademi theksoi se federata i ka bërë të gjitha përgatitjet profesionale për fillimin e edicionit të ri dhe se janë të përgatitur për çdo rrethanë që pandemia Covid-19 mund të na sjellë në futbollin tonë.

Presidenti Ademi i dëgjoi me vëmendje edhe kërkesat dhe sugjerimet e klubeve, duke i mirëkuptuar që pandemia i ka atakuar shumë, e veçmas futbollin si sportin më të popullarizuar në vend. Presidenti Ademi njëkohësisht e shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e federatës për t’i ndihmuar klubet në të gjitha format për aq sa ka kapacitet. Gjithashtu, ai, konfirmoj edhe ndihmën e radhës që FFK do ta bëjë për klubet qysh në fillim të edicionit të ri.

Në takim u diskutua edhe për të drejtat televizive të Superligës, ku krerët e FFK-së sqaruan në tërësi procesin dhe ofertuesin fitues. Me këtë rast presidenti Ademi kërkoi nga klubet që të shpalosin opsione dhe modalitete për menaxhimin dhe ndarjen e mjeteve nga të drejtat televizive, por klubet në mënyrë unanime vendosen për ndarjen e mjeteve në mënyrë të barabartë siç ka qenë deri më tash. Krerët e FFK-së ofruan gatishmëri maksimale për të gjitha klubet dhe gjithashtu së bashku u darkorduan që të bëjnë më të mirën që niveli i futbollit në Kosovë të ngritet sa më lart në të gjitha aspektet.

Presidenti Ademi uroi dhe lavdëroi klubet për një afat të pasur të transferimeve të futbollistëve cilësor, me çka shprehu bindjen se këto përforcime dhe formati i ri i Superligës me 10 ekipe do të bëjnë që kampionati të shënojë ngritje të konsiderueshme dhe futbolli i Kosovës të arrijë në nivel tjetër. Në fund të këtij takimi u diskutua edhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe për atë që të gjitha ndeshjet kampionale të zhvillohen në terrene me bar natyral sa më shpejt që është e mundur.