FDA miraton vaksinën “Johnson & Johnson”

0
59

Vaksina antiCOVID-19 me një dozë e “Johnson & Johnson” ka marrë miratimin zyrtar nga rregullatori amerikan, duke u bërë kështu vaksina e tretë në dispozicion në vend.

Vendimi u dha një ditë pasi një komitet ekspertësh të pavarur dorëzoi miratimin për vaksinën në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA).

“Miratimi është një nxitje për përpjekjet e SHBA-së në lidhje me vaksinat, që kanë marrë hov pas një nisjeje të ngadaltë”, njoftuan Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Dozat e vaksinës “Johnson & Johnson” mund të ruhen në një frigorifer standard, ndryshe nga kushtet ultra të ftohta të kërkuara për dy vaksinat e tjera nga “Moderna” dhe “Pfizer/BioNTech”, që të dyja me dy faza aplikimi.

Një provë klinike globale tregoi se vaksina “Johnson & Johnson” është 66 % efikase në parandalimin e varianteve të ndryshme të COVID-19 dhe 85 % në mbrojtjen nga rastet e rënda./ATSH